OPINION

Drita kampione me meritë , Gjilani larg pritshmërive

Shkruan: Fehmi SYLEJMANI

Drita  arriti që pas 18  javëve të para të shpallet kampione dimri, derisa Gjilani është  pozicionuar në  pozitën e 6-të  në  tabelën e   klasifikimit të  Albi Mall Superliga e Kosovës në  futboll.

Përderisa suksesi i skuadrës ‘bardhë e kaltër” është  pritur, duke marrë  për bazë  organizimin dhe menaxhimin e klubit, ndërtimin e lojës, fondin e pasur të  lojtarëve, performancën e shkëlqyer, skuadra tjetër gjilanase,  Gjilani nuk i ka përmbush objektivat e saja të  parapara  në  fillim të  kampionatit.

Pavarësisht se Drita,  ka tubuar 40 pikë , 7 më  tepër se përcjellësi i parë  i saj Ballkani dhe 10 me shumë  se përcjellësi i dytë  Malisheva, nuk duhet të  vetëkënaqet me këtë  arritshmëri, sepse kampionati është  tejet i gjatë  dhe në  futboll gjithçka është  e mundur. Shto kësaj, Drita,  në  disa ndeshje nuk ka qenë  në  nivelin e dëshiruar, madje ka dy disfata, njëra ndaj rivalit lokal Gjilanit.  Pikërisht në  derbin lokal, janë shfaq dhe vërejt  disa mangësi apo lëshime, që   në  stinorin pranveror duhet medoemos përmirësuar.  

Shtabi teknik  dhe zyrtarët tjerë  të  Dritës janë të  vetëdijshëm, se gjatë  pushimit dimëror duhet analizuar mirë  e saktë. Një  analizë  të  thuktë  dhe reflektuese.

Duhet  identifikuar se cilat ishin  ato mangësi apo defekte,  që  në  disa ndeshje u shfaqën,  ku  ekipi   hasi në  vështirësi,  ndonëse Drita,  aktualisht pa asnjë  hezitim ka skuadrën më  të  mirë  në  vend.

Në  anën tjetër,  nga Gjilani është  pritur shumë  më  shumë , duke pas parasysh ndryshimet që  ishin bërë  në  fillim të  kampionatit.

Jo vetëm në  klub, por edhe më  gjerë  prisnin më shumë prej lojtarëve që kishin në dispozicion, në mënyrë që rezultatet të mos ishin kaq të diskutueshme.

Gjilanin e përcolli një  formë  osciluese gjatë  këtij gjysmë  sezoni, që  nga syri i jashtëm  shihet i pajustifikueshëm.  Në  disa ndeshje, pikërisht kundër skuadrave të  forta, Gjilani shfaqte karakter  të  lartë , e që  rezultonte  më  pas me gjah të  plotë. E kundër skuadrave “mesatare” dhe më  të  “dobëta” shpesh herë  ka dëshpëruar jo vetëm “Skifterët”, por edhe dashamirët dhe njohësit e futbollit. 

Pika më  e diskutueshme në  ekipin  ‘bardhekuq” pa mëdyshe  ishte reparti i mbrojtjes, por jo në  nivelin e dëshiruar nuk kanë kaluar as mesfusha dhe sulmi.

Loja defanzive në  kë të  skuadër, mbase mund të  jetë  çelësi i suksesit apo mossuksesit. Pavarësisht përpjekjeve, lojtarët mesfushor nuk kanë arritur të  kenë  ritëm të  duhur, kreativitetet dhe detyra mbrojtëse për të  mbuluar boshllëqet e krijuara gjatë  situatave  të  ndryshme.

Po ashtu edhe sulmi ka mundur të  jetë  shumë  më  i rrezikshëm  për portat rivale, por jo sa duhet është  shfrytëzuar sulmuesi korpulent Jarovic.

Tashmë është mbyllur gjysma e sezonit në futbollin kosovar  dhe pas gati dymuajsh  muajsh(19 shkurt nis java e 19-të),  mund të bëhen disa balance edhe sa i përket ndikimit të lojtarëve të caktuar në skuadrat e tyre.

Gjilani ka nevojë  për përforcime urgjente në  të  gjitha repartet, në se dëshiron të  ngritët në  tabelën e klasifikimit. Ndonëse, janari është një treg shumë i vështirë dhe mundësitë janë të pakta.

Teksa në  këtë  drejtim,  Drita është   paksa më  komod, por stafi teknik dhe ai menaxherial  janë të  lirë  dhe autonom,  të  marrin vendime decizive  për të  mirën e klubit.

(Autori është  ish gazetar sportiv dhe opinionist i lirë )

You Might Also Like