KOMUNIKATË E FC DRITA
Me datë 17.08.2018 Federata e Futbollit të Kosovës mori vendim që klubi ynë të denohet me ;
1) 10.000€ (euro) gjobë dhe
2) Zhvillimin e dy ndeshjeve si vendas pa praninë e tifozëve.
Duke u thirrur në Rregulloren e Garave neni 39, pika (1, 2, 3) dhe në
Rregulloren Disiplinore: neni 8, pika 4 (C, E)
neni 29, neni 50 paragrafi 1 pika 3
neni 51 paragrafi 1 pika 1.
Kryesia e klubit DRITA menjëherë pas kumtimit të këtij vendimi nga organet e FFK-së, mbajti një mbledhje të gjatë ku u diskutua në detaje vendimi në fjalë.
Ne kërkojmë nga FFK të qartësohet
“arsyetimi i vendimit”.
Të marrim shembull, duke u mbeshtetur në nenin 39 të rregullores së garave pika 3,
ceket qartë që ;
“Organizatori i ngjarjeve sportive është i obliguar të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e ngjarjes sportive, e në veçanti duhet të kujdeset për masat parandaluese të shfaqjes së dhunës dhe sjelljeve të palejuara”.
Informacione shtesë për këtë pikë kërkojmë vetëm për faktin që si klub nuk kemi pasur përgjegjësi organizative.
Tutje duke analizuar Rregulloren Disiplinore përkatësisht nenin 29, 50 dhe 51 vijmë në përfundim se ;
Neni 29 paraqet “RASTET E RËNDA”, neni 51 pika 1 thotë ;
“Në rast të hedhjes së gjësendeve të forta pa pasoja në terren klubi denohet me të holla”.
Pa qartësi kemi këtu sepse neni 29 e konsideron rastin si “TË RËNDË”, ndërsa neni 51 pika 1 rastin e paraqet të lehtë dhe pa pasoja.
Neni 51 pika 3 potencon që ;
“Ekipi mund të denohet me dy deri në katër ndeshje pa praninë e shikuesve në rast të tentimit të sulmit ndaj personave zyrtar apo futbollistëve të të dyja palëve”.
Të gjithë jemi dëshmitarë që tifozët tanë nuk kanë sulmuar as personelin zyrtarë e as futbollistët.
Megjithatë veprimi i paaryshëm nga ana tyre domosdoshmerisht duhet të denohet në mënyre racionale.
Neni 50 të cilit i është referuar FFK-ja tregon qartë që klubi i cili nuk e organizon ndeshjen në pajtim me dispozitat dhe propozicionet e rregullores së garave do të denohet me të holla.
Përsëri kërkojmë sqarime shtesë pasi nuk kemi pasur përgjegjësi organizative.
Federata e Futbollit të Kosovës ka shprehur gadishmërinë që një herë e përgjithmonë të zhduken fenomenet negative në futbollin kosovarë.
Ne si klub e përgëzojmë kryetarin Agim Ademi dhe të gjithë stafin e tij, gjithashtu i falenderojmë për ndihmën që na kanë ofruar në organizimin e ndeshjeve në arenën ndërkombëtare.
Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të njolloset klubi ynë dhe të dëmtohet imazhi i superligës së Kosovës.
Si klub do të jemi bashkëpunues dhe aleat për të luftuar së bashku çdo sjellje të pahijshme në stadiumet kosovare.
Kërkojmë nga FFK mirëkuptim rreth kërkesës tonë, gjithashtu shprehemi në mënyre publike se e respektojmë çdo vendim nga ana e organeve disiplinore dhe i inkurajojmë që me çdo mjet dhe në çdo mënyrë të ballafaqohen me problemet që ka futbolli ynë.
Konsiderojmë që shuma e të hollave që detyrohemi të paguajmë është shumë e lartë në raport me standartin financiar të klubeve kosovare.
Shpresojmë shumë që kjo kërkesë e klubit tonë për informacione shtesë dhe ri-shqyrtim të vendimit nga shkalla e dyte të merret parasysh. Si klub e rikonfirmojmë besimin në organet e Federatës dhe do të jemi gjithmonë të gatshëm për bashkëpunim korrekt.
Me shumë respekt,
FC Drita.