Gjilan

Fjala e kryetarit Alban Hyseni në Akademinë për ish-presidentin Ibrahim Rugova

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti,
E nderuara famijle Rugova,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar veteranë,
Të nderuar Invalidë,
Të nderuar të burgosur politikë,
I nderuar President, Fatmir Sejdiu,
Të nderuar ministra,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfqësues të institucioneve qëndrore dhe lokale,
Të nderuar përfaqësues të partive politike,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Jemi mbledhur sot, që të rikujtojmë presidentin e parë të vendit Dr. Ibrahim Rugovën.
Kjo akademi përkujtimore, mbahet nën patronatin e presidentës së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu, duke e respektuar kështu, edhe më shumë presidentin Rugova, dhe kujtimin për të.
Po në këtë datë, pra 21 janar 2006, ai u largua fizikisht nga kjo botë, për të lënë pas tij një veprimtari të gjatë politike e cila vazhdon të jetë trashëgim i brezave që vijnë pas tij.
Me 10 janar 1945, rreth vetëm 1 viti pas lindjes së Presidentit Rugova, forcat jugosllave ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën. Janar i flakës. Janar i zjarrit. Acar e dimër, por për shqiptarët i përgjakur. Derisa në këtë muaj, ne përkujtojmë dëshmorët e kombit, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, si dhe shumë të tjerë, bëhet e qartë një gjë. Ajo që kemi arritur sot, është mund e sakrificë e shumë brezave para nesh.
Pra, histori e ngjashme me dhimbje, sakrifica e vrasje për shumë familje shqiptare e atdhetare.
Dr. Ibrahim Rugova, ishte i parreshtur e i palodhur në punën dhe angazhimin e tij, në të mirë të vendit.
Përfaqësonte popullin shqiptar, duke qenë profesor universitar si dhe duke pasur edhe më shumë njerëz të tjerë plot vlera afër tij.
Një nga veprimet e vlerat e rëndësishme të Presidentit Rugova, ishte ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës. Lufta çlirimtare, sakrificat dhe përfaqësimi politikë, ndikuan edhe në intervenimin ndërkombëtar, që bashkë me luftën çlirimtare, përfundimisht quan në largimin e okupatorit dhe armikut nga trojet tona.
Në këto kohë të vështira, kur ka trazira e konflikte gjithandej nëpër botë, duhet të jemi të bashkuar. Vetëm bashkë, mund të jemi të fortë. Lufta politike, ofendimet e përçarja, nuk i bëjnë mirë atdheut dhe nuk nderojn figurat e historisë sonë, ndërsa e dëmtojnë të ardhmen.
Le të jemi unik, e të bashkuar, ashtu sic do të donte të na shihte çdo njëri, që sado pak ka ndihmuar në atë që kemi arritur sot.
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Lavdi heromjëve tanë!
I përhershëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e Presidentit Ibrahim Rugova.

You Might Also Like