Patën penalti, qëlluan shtyllën e patën dhjeta raste, por në fund, nga një sulm i vetëm i Fushë Kosovës, Drita ka pësuar në fund nga “pampurët” në ndeshjen që është luajtur në Lipjan, shkruan kryelajmi.com
Kjo humbje e Dritës është më e dhimbshme pasi dy kundërshtarët e saj në luftë për titull, Ballkani e Llapi shënuan fitore në udhëtim.
Këtë të shtunë, gjithçka shkoi keq për Dritën. Ndonëse kanë mbizotëruar lojën për 90 minuta, bardh e kaltrit nuk shënuan së paku një herë e për këtë patën mundësi të shumta. Kështu në pjesën e parë, Baftiu nga një pozitë shumë e mirë e qëlloi transversalen.
Në pjesëlojën e dytë i tërë sulmi i Dritës u gjet para portës së Fushë Kosovës, por asnjëri nga lojtarët e Dritës nuk arriti të mposhtë portierin
Në momentet më të mira të ndeshjes, Drita fitoi penalti, pasi portieri vendas Davide Borsellini në zonë e rrëzoi Blerim Krasniqin dhe në mungesë të Besnik Krasniqit përgjegjësinë për të gjuajtur e mori Almir Ajzeraj gjuajti në anën e djathtë, mu aty ku ishte portieri që priti gjuajtjen.
Dhe kur Drita po sulmonte me ngulm, në një kundërsulm nga e majta, në minutën 87 Sinan Sinanoviq u shërbye në anën tjetër dhe me gjuajtje të saktë mposhti Faton Malokun, që doli të jetë rezultati final.
Me këtë humbje, Ballkani dhe Llapi shkëputen edhe më shumë nga Drita, që tashti ka ngelur në pozitën e tretë./kryelajmi.com/