Futboll

Futbollistet tona me mbresa të mira në Francë

Futbolli ndër femra, sport i ri tek ne, po del të jetë më i suksesshëm se ai i meshkujve, së paku sa i përket daljes në arenën ndërkombëtare. Shumë futbolliste të Klubit të Futbollit të Femrave Intelektualet nga Gjilani janë testuar nëpër klube të huaja, kryesisht në Zvicër dhe Francë, disa me shpresë për të mbetur atje.

Blerta Shalës dhe Antigona Behlulit, që për një stinor luajtën në Zvicër, këtë verë iu bashkëngjitën edhe Marigona Hajdari, Bahrije Miftari dhe Kaltrina Biqkaj, të cilat janë testuar në Francë.

Tash, kur futbollistet tona ishin në prova në Francë, trajneri i tyre, Afrim Mehmeti, që ishte bashkë me to, thekson se ishte një udhëtim që ia vlejti, ngase së paku për një lojtare është vendosur që të mbetet atje, derisa edhe një tjetër ka rast të mirë që t’i bashkëngjitet ekipit francez.

Mehmeti, thotë se Kaltrina Biqkaj e ka kaluar provën me sukses dhe se përkundër lëndimit që e pati para se të shkojë në Francë, ajo ia doli të bind menaxherët francezë dhe tashti pritet që FC Vendenheim afër Strasburgut  t’a angazhojë atë, derisa edhe Marigona dhe Bahtija lanë mbresa të mira, të cilat në  ndeshjen kontrolluese kanë shënuar nga dy gola.

“U vërtetua se lojtaret tona janë teknike të mira, por përgatitja fizike nuk është në nivelin sa është në Francë. Edhe kushtet për punë në Francë janë shumë më të mira se sa këtu dhe se po të ishin ato kushte tek ne futbolli ynë do të ishte në nivel shumë më të lartë”, thotë Afrim Mehmeti, që ka shtuar se pritja ishte e shkëlqyeshme që prej ditës së parë, kryesia e klubit gjatë tërë kohës u është gjetur pranë, derisa Mehmeti nuk ka lënë pa përmendur edhe Gëzimin, djalin e pronarit të restaurant “Parisi”, i cili ka ndihmuar në shumë aspekte.

 

You Might Also Like