Gjilan

Gagica: Do ta kujtojmë jetën e Nehat Feratit, jo vdekjen

Është e rëndë deri në pambarim të gjenden sot fjalët që mposhtin dhembjen për Nehatin. Është e rëndë sepse dhembja, sot,e mposhtë secilën fjalë, secilin mendim për një njeri të jashtëzakonshëm që ne e patëm mik të gëzimeve e momenteve të vështira, e ju e patët baba, bashkëshort e vëlla të jashtëzakonshëm.
Është gati e pabesueshme, që fizikisht më nuk do të jemi me njeriun plot entuziazëm për kulturën; këngën, vallen….për njeriun që nuk u dorëzua kurrë; për njeriun plot qeshje, plot besim në punën për kulturën, edhe kur ndihmohej e edhe kur nuk ndihmohej.
Për mua, është shumë e vështirë që të mos dëgjohem a shihem me” shokun tem” dhe të mos e pimë bashkë kafen e fundit në mbrëmje. Do të jetë e vështirë dhe shumë e rëndë të mos e shohim në ballë të Ansamblit Gjilani apo në skenë bashkë me ne, në çfarëdo organizimi kulturor që do ta keetë. E paimagjinueshme do të jetë të marrim udhë kudo për të përfaqësuar kulturën e traditat tona në festivale botërore, duke e ditur që ai – njeriu që na bashkonte e drejtonte nuk është aty me ne – ballë nesh.
Kaq shumë na ka dhënë si njeri e artist, kaq shumë kujtime; gëzime, suksese, ëndrra qeshje e art. Kaq shumë, ama po aq shumë do të na mungojë. Nuk e di saktësisht si kemi me ecur pa të, dhe ndoshta nuk është momenti për t’i thënë këto fjalë – ama sot, të gjithëve që e njohëm na flet veç zemra dhe na qanë shpirti.
Miq të dhembjes për Nehatin!
Le ta shprehim sot gjithë dhembjen për ndarjen e tij nga ne dhe le ta kujtojmë gjithë jetën tonë njeriun, mikun, artistin që na fali kaq shumë miqësi, dashuri, qeshje. Le ta kujtojmë të tillë çfarë e patëm…..si më të mirin mes nesh. Le të vazhdojmë ashtu siç do të donte ai; edhe për ju familje e Nehatit, edhe për ne dhe miqtë e tij. T’i falënderohemi Zotit që e patëm, ndonëse shkurt, dhe të provojmë të jemi të mirë veç sa gjysma e tij.
Shoq, mirupafshim deri në koncertin tonë të ardhshëm.
Kudo dhe sa të jemi gjallë do të jesh me ne, ndonëse kaq shumë do të na mungosh!
Mirutakofshim shoku ynë.
I përjetshëm do të mbetesh me ne po aq sa ishe deri dje.
Ngushëllime, familje e nderuar e Nehatit. Ngushëllime miq e artistë.
I lehtë dheu për ty – e rëndë mërzia për ne.
Do ta kujtojmë jetën tënde, jo vdekjen. Mirutakofshim Bacok!
Nazim Gagica

You Might Also Like