Gjilan

Gjeodezia me shërbime rekorde

Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë gjatë periudhës, sa ishte një pjesë e madhe mërgatës për pushime, kishte shtim të punëve dhe kërkesave për rregullim të marrëdhënieve pronësore dhe juridike, duke dhënë shërbime në kohë rekorde.

Kështu ka thënë drejtori i Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronës, Sadudin Berisha, në konferencën e sotme për media, duke shtuar se periudha paraprake, ishte me vëllim më të madh të punëve, si për zyrtarët e kësaj drejtorie, po ashtu edhe për natyrën e kërkesave dhe produkteve të kërkuara nga ky dikaster i Komunës së Gjilanit.

“Me ardhjen e bashkëqytetarëve tanë nga mërgata, janë shtuar edhe kërkesat dhe interesimet për rregullim të marrëdhënieve të tyre pronësore dhe juridike. Kemi arritur që në kohën më të shkurtër të mundshme të japim shërbimet, duke pasur parasyshë edhe kohën e shkurtër të qëndrimit të tyre në vendlindje. Kjo dhe shumë suksese në dhënien e shërbimeve për qytetarët është bërë i mundur, falë edhe bashkëpunimit të mirë që kemi me Qeverinë e Kosovës, Agjensionin Kadastral, Gjykatat, Policinë e Kosovës, por edhe me Agjensionin e Privatizimit dhe institucione të tjera”, ka thënë drejtori Berisha.

Ai ka njoftuar se si Drejtori kanë bërë kërkesën në qeverinë e Kosovës, për shpronësimin e pronës private, në zonën “Livadhet e Arapit”, ku edhe është i planifikuar ndërtimi i parkut të qytetit, si dhe kërkesa të tjera në interes dhe shërbim të qytetarëve të Komunës së Gjilanit.

Berisha ka bërë të ditur, po ashtu, se është bërë incizimi i gjendjes në rrugën kryesore nga Lladova deri në Zhegër për të kuptuar nëse ka apo jo uzurpime dhe presim së shpejti rezultatet dhe më pas do të merren hapa konkret për definim të pronësisë.

Gjithashtu, sipas tij është bërë edhe incizimi i gjendjes në një pjesë të fshatit Ponesh dhe revidimi i gjendjes në fshatin Përlepnicë, konkretisht i lumit të këtij fshati, ku dyshohet se mund të ketë uzurpime për të cilat duhet një intervenim nëse vërtetohet se ka, sepse rrjedha e lumit është me rëndësi të madhe për publikun.

“Matje të kësaj natyre janë bërë edhe në lokacionin e varrezave të qytetarëve, sepse atje do të investohen stazat dhe rrethoja e tyre duke përfshirë të gjitha varrezat e të gjitha etnive. Të gjitha projektet dhe investimet kapitale në shërbim të publikut, janë përcjellur edhe me matje të detajuara nga drejtoria jonë”, ka përfunduar Berisha në adresimin para gazetarëve.

You Might Also Like