Gjilani ka vuajtur shumë për të mos e humbur ndeshjen ndaj Ballkanit, ngase afërsisht 40 minuta ka luajtur me një lojtar më pak, pasi që në fillim të pjesës së dytë, Besart Musolli u ndëshkua me karton të kuq, pas një ndërhyrje në mesin e fushës.
Në pjesëlojën e parë pati disa goditje drejt portës, por ato rëndom kanë shkuar jashtë, kështu që në pjesën e parë rrjetat mbetën të paprekura, në një fushë të rënduar nga shiu, i cili ka rënë gjatë këtyre ditëve.
Në pjesëlojën e dytë është pritur lojë më e mirë, por ajo filloi keq për Gjilanin, ngase në mesin e fushës, me motivacion se ka ndërhyrë ashpër, gjyqtari Dardan Çaka e ndëshkoi me të kuq Musollin. Gjyqtari që ishte aty afër, fillimisht e kishte ndëshkuar mesfushorin gjilanas me të verdhin, por pas intervenimit të VAR-it, ai shkoi vetë ta shoh situatën dhe e ndëshkoi Musollin me të kuq.
Pak minuta më vonë, në atë të 57, pas një shpërthimi të Hajdarit nga e majta, ai bukur harkoi në brendi, ku më së miri u gjet Gerhard Progni, që e futi topin në rrjetë.
Vendasit, që ishin me një lojtar më pak në fushë u tërhoqën për të ruajtur rezultatin, por pas një ndërhyrje afër zonës, gjyqtari dha gjuajtje dënimi për Ballkanin, të cilën me mjeshtri e dha Nazmi Gripshi, që barazoi rezultatin 1:1.
Deri në fund të ndeshjes Gjilani më shumë u mbrojt e Ballkani që pati më shumë nga loja nuk ia doli që së paku të shënojë edhe njëherë, andaj ndeshja u mbyll me rezultat të barabartë.