Gjilan

Gjilani nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për avancimin e të rinjve në sport, kreativitet kulturor dhe mendim kritik

 

Gjilan, 13 dhjetor 2018 –  Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me koordinatorin nacional për kulturë, rini dhe sport, Rexhep Hoti,  për avancimin e pozitës së të rinjve në sport, kreativitet kulturor dhe mendim kritik.

 

“Ka kohë që nuk kam marrë lajm më të mirë nga Qeveria sepse ky program nacional që sot është sjellë dhe, për të cilin u dakorduam të bashkëpunojmë, përfshinë grupmoshat e rinisë, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, e studentët e “Kadri Zekës”. Gjilani e ka pranuar me dashamirësi e padurim këtë program dhe do ta zbatojmë në përpikmëri. Besojmë shumë në suksesin e këtij programi”, ka thënë pas nënshkrimit të marrëveshjes kryetari i Gjilanit.

 

Kurse, koordinatori nacional për kulturë, rini dhe sport, Rexhep Hoti, ka deklaruar se ndihet mirë që e ka marrë mbështetjen e fuqishme të Hazirit për implementimin e këtij programi në Gjilan.

 

“Për herë të parë po nis një program për 340 mijë nxënës, 24 mijë mësimdhënës dhe për 110 mijë studentë. Ky program ka dy parime bazë, vijueshmërinë dhe gjithëpërfshirjen. Për herë të parë bëjmë një garë për të gjithë, pa dallime. E rëndësishme është që kryetari Haziri më ofroi mbështetje të jashtëzakonshme. Më së shumti më gëzon fakti që kur është në pyetje nxënësi dhe dituria, politika pushon dhe gjithçka vihet në shërbim të tyre”, thënë Hoti.

 

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe zëvendësministra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina dhe zëvendësministri i Arsimit, Azem Guri.​

You Might Also Like