Gjilan

Gjilani nikoqir i Olimpiadës Gjithëkombëtare të Matematikës

Matematicientë nga mbarë trevat shqiptare si Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës u mblodhën sot në Gjilan, për të marrë pjesë në garën më të madhe të matematikës, e cila grumbullon matematicientët më të dalluar nga komunat pjesëmarrëse, e organizuar nga Drejtoria e Arsimit dhe revista ‘Plus’ nga Tetova.

Përveç nxënësve pjesëmarrës, të pranishëm në këtë garë ishin kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, përfaqësues nga Drejtoria Komunale në Gjilan, përfaqësues nga Bashkia e Durrësit dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit në këtë Komunë, përfaqësues nga Tetova, nga ‘Shoqata e Matematicientëve’, nga Revista ‘Plus’, përfaqësues nga Universiteti i Prishtinës dhe i Gjilanit, prindër dhe mësimdhënës.

Hapjen zyrtare të kësaj olimpiade e bëri kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku – Rexhepi, e cila theksoi se Kuvendi Komunal mbështet çdo organizim të tillë dhe ata që përfaqësojnë Gjilanin e sjellin rezultate, duke i stimuluar dhe financuar përmes fondit të ekselencës të miratuar nga Kuvendi i Komunës së Gjilanit, me iniciativë të kryetarit, Lutfi Haziri.

“Gjilani është shpallë qendër në shumë aspekte si në sport, kulturë dhe në fisha të tjera, por si qendër e matematicientëve është jashtëzakonisht kënaqësi dhe krenari. Në emër të Kuvendit Komunal dhe me iniciativë të kryetarit, Lutfi Haziri, është miratuar fondi dhe rregullorja e ekselencës, për financimin e të gjithë atyre talentëve pjesëmarrës në gara dhe korrin suksese e përfaqësojnë Gjilanin në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Valentina Bunjaku – Rexhepi.

Drejtoresha në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilan, Shqipe Kastrati-Haziri, tha se Gjilani është krenar me rezultatet e nxënësve në garat e matematikës, ndërsa theksoi se përkrahja e kryetarit, Lutfi Haziri, për këtë garë ishte e pakursyer me cka e bëri Gjilanin kryeqytet të matematikës për herë të dytë.

 

Në hapje të kësaj Olimpiade, para nxënësve dhe pjesëmarrësve të tjerë foli edhe përfaqësuesi nga Revista “Plus” nga Tetova, Agim Buklla.

Buklla falënderoi ata që mundësuan realizimin e kësaj gare, kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilan, Këshillin Organizativ në krye me Arsim Bejtullahu dhe në veçanti nxënësitë dhe prindërit gjilanas, që pritën dhe hapën dyert për nxënësit nga mbarë trojet shqiptare të këtij Rajoni.

Olimpiada XXII Gjithëkombëtare për Matematikë këtë vit mbahet për herë të 22-të që nga themelimi, e organizuar nga Revista “Plus” në Tetovë, ndërsa për herë të dytë në Gjilan.

Secila komunë u përfaqësua nga  tre (3) nxënës (klasa VII-VIII-IX-të), ndërsa rezultatet do të publikohen nesër, e diel, në ora 10:00.

You Might Also Like