Gjilan, 12 shtator 2018 – Komuna e Gjilanit është e para e cila ka filluar me pilot projektin për më shumë mësimdhënës nga klasat tre deri në klasën e pestë ku secili mësimdhënës është përgjegjës për një lëndë mësimore dhe kështu shënon ndryshimi i madh pozitiv pas disa shekujsh në arsimin fillor të ciklit të ulët të mësimit.
Në fjalën e tij drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazim Gagica, ka thënë se ky pilot projekt është në bashkëpunim me Universitetin Kadri Zeka, me GIZ-in, Drejtorinë e Arsimit dhe me mbështetje të fuqishme të kryetarit të Komunës së Gjilanit.
Gagica ka potencuar pritjet që do të jenë dhe ka shpresuar shumë në suksese të cilat gjatë të ardhmen do të jenë të dukshme dhe gjithnjë në favor të cilësisë në arsim dhe njëkohësisht edhe të përgjegjësisë më të madhe dhe mundësinë e të nxënit në një nivel më të lartë.
“Falënderoj fillimisht prindërit dhe mësimdhënësit për gatishmërinë që të nisim me këtë pilot projekt. Është një punë e madhe që do të bëhet në këtë fushë dhe gjithsesi mbështetja e universitetit do të jetë e domosdoshmë për të ndërtuar këtë projekt në kuadër të ngritjes së cilësisë në arsim. E kemi filluar me shkollën “Selami Hallaqi”, por në planin e vitit të ardhshëm sigurisht që do të ketë edhe shtrirje të këtij formati edhe në shkollat tjera. Mbështetja e kryetarit Haziri është një shtytje për ne që të punojmë edhe më shumë që këto rezultate të jenë edhe më të mëdha. Lus të gjithë mësimdhënësit që të bëjnë maksimumin e tyre, sepse janë krijuar mundësitë që të kenë fokusin e qartë në një lëndë mësimore, që krijon hapësirë për suksese më të mëdha, për nxënie më kualitative dhe për zhvillim të shkathtësive të nxënësve njëkohësisht”, ka thënë ai mes tjerash.
Dukagjin Leka, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në universitetin “Kadri Zeka”, ka thënë se universiteti do të jetë vazhdimisht i kyqur edhe në shkollimin fillor, përmes formave të ndryshme, qoftë të këshillimeve, propozimeve, mbështetjes profesionale, në mënyrë që të zhvillohen reformat që bëjnë ndryshime dhe ndikojnë direkt në rritjen e cilësisë dhe sukseseve të nxënësve.
Dekani i Fakultetit të Edukimit, Jenuz Dervodeli, nga ana e tij ka potencuar faktin se angazhimi i më shumë mësimdhënësve është një profesionalizëm më i lartë dhe njëkohësisht edhe zhvillim i qëndrueshëm i fëmijëve në moshën e hershme të tyre. Siç ka thënë ai në aspektin e nxënies së diturive me këtë model të përfshirjes së më shumë mësimdhënësve, mund të arrihen rezultate që do të shihen gjatë të ardhmes.
Kurse përfaqësuesja e GiZ-it Rreze Zhinipotoku, ka thënë se organizata që ajo përfaqëson ka gatishmëri të madhe që të mbështes këto iniciativa në të cilat janë të përfshirë nivel I gjerë institucional për zhvillim të arsimit dhe ngritje të cilësisë në përgjithësi.
Drejtori i shkollës Florim Maloku dhe mësimdhënësit në përgjithësi ishin të vendosur që këtë praktikë të re e cila është ende pilotim ta shndërrojnë në një sukses që do të merret model për shkollat e Gjilanit dhe gjithë Kosovës.