ARSIMI

Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe Ataşehir Rotary Anadolu Lisesi, shkolla ndërkombëtare të binjakëzuara

 

 

Një grup drejtorësh të shkollave të Kosovës kanë vizituar këtë fundjavë shtetin mik të Turqisë, me të cilat kanë arritur marrëveshje ndërkombëtare të binjakëzimit. Në mesin e këtyre shkollave ishte edhe Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” nga Gjilani, që përfaqësohej nga drejtori i kësaj shkolle Bekim Mustafa, i cili ka nënshkruaj marrëveshje me Ataşehir Rotary Anadolu Lisesi, që përfaqësohej nga Adem Sağir.

Siç ka thënë drejtori Bekim Mustafa pas kthimit nga shteti mikpritës, në Turqi kanë mbetur të impresionuar me kushtet që ofrojnë shkollat e atjeshme për mësim, sikurse që mikpritësit janë njoftuar me të arriturat e shkollave kosovare dhe kushtet e mësimit këtu.

Mustafa ka thënë se të gjitha këto takime kishin për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit reciprok dhe të mirëkuptimit të përbashkët, me qëllim që forcohen lidhjet e vëllazërisë dhe miqësisë mes këtyre dy institucioneve arsimore. Është arritur marrëveshje që këto shkolla të bashkëpunojnë në kuadër të legjislacionit aktual dhe kurrikulës arsimore të dy shteteve, sikurse që në të ardhmen të ketë vizita të ndërsjella arsimore dhe kulturore të nxënësve e mësimdhënësve me qëllim të ndarjes së praktikave të mira në arsim dhe të krijimit të një rrjeti të komunikimit.

Pala turke ndër të tjera do të angazhohet që të realizojë projekte të përbashkëta me shkollën kosovare, sikurse që është zotuar se do të mbështes Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” me mjete e pajisje brenda mundësive dhe legjislacionit.

Të dy palët kanë rënë dakord që brenda mundësive të shkëmbejnë edhe vizita  dhe aktivitete të tjera, qoftë duke përgatitur projekte të përbashkëta, shkëmbim të informacioneve, forcim të vlerave kulturore, por edhe zhvillim të ndjenjës së paqes, dashurisë, vëllazërisë dhe miqësisë në mes të shkollave të binjakëzuara.

You Might Also Like