Gjilan, 22.10.2021 – Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues me burgim dhe gjobë ndaj të akuzuarve S. F. dhe K. L.
I akuzuari S. F. në cilësinë e personit zyrtar – roje pylli pranë autoritetit pyjor në Komunën e Kamenicës, nuk ka ndërmarr veprime të nevojshme për sigurimin e pyjeve, përkatësisht masës drusore të prerë në ngastrën me nr. 52, me vëllim 230.20 metra kub, me çka i ka shkaktuar autoritetit pyjor dëm material rreth 16.712.89 Euro.
Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërsa i akuzuari K. L. duke qenë i autorizuar nga kompania “Mirvete Leci – BI” në Kamenicë, për implementimin dhe mbikëqyrjen e punimeve në ngastrën nr. 52 në fshatin Krilevë, ku kompania në fjalë ka qenë në implementim të kontratës, për punimet në këtë ngastër, i akuzuari pas njoftimit nga kompania se i ndërpret punimet e mëtejshme në këtë
ngastër, nuk ka vepruar sipas udhëzimit administrativ nr. 06/2020 për mënyrën dhe procedurat e shitjes së trungjeve pyjore dhe asortimeve drusore nga pyjet publike. Ashtu që pas ndërprerjes së punimeve nga subjekti në fjalë, personave të panjohur deri më tani i është mundësuar marrja e masës drusore në ngastrën e përmendur me vëllim 230.20 metra kub, me çka i ka shkaktuar autoritetit pyjor dëm material rreth 16.712.89 Euro.
Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale veprimtaria e pandërgjegjshme ekonomike, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe shtjellimit të provave, ndaj të akuzuarit S. F., ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) muajve dhe gjobë në shumën prej 500 (pesëqind) Euro, ndërsa ndaj të akuzuarit K. L. dënim me gjobë në shumën prej 3500 (tremijë e pesëqind) Euro.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.