Gjilan

Haziri: KBI dhe imamët e Gjilanit kanë dëshmuar për vendosmërinë e tyre në luftimin e Covid-19

Gjilan, 2 korrik 2020 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka takuar mbrëmë Këshillin e  Bashkësisë Islame dhe imamët e xhamive të Gjilanit, me ç’rast janë koordinuar për vazhdimin e përdorimit strikt të masave mbrojtëse për parandalim të pandemisë globale dhe angazhimin e përbashkët deri në normalizim e plotë të gjendjes.

Kryetari Haziri ka falënderuar Bashkësinë Islame në Gjilan për kontributin e jashtzakonshëm që ka dhënë në Komitetin për menaxhimin e emergjencave si dhe angazhimin e madh të të gjithë imamëve në bartjen e mesazhit për kujdes dhe respektim të vendimeve për parandalim të pandemisë në institucionet fetare.

“Angazhimi i përbashkët për përballje ndaj pandemisë ka qenë më i lehtë në kontributin që ka dhënë Këshilli i Bashkësisë Islame dhe imamët e xhamive, e sidomos gjatë riteve fetare në Xhami. Përdorimi i masave mbrojtëse është domosdoshmëri për shëndetin publik dhe ky mesazh është bartur çdo ditë. Është fat i madh që xhamitë nuk kanë qenë burim i infeksionit dhe duhet edhe më tutje të kemi kujdesin maksimal dhe të apelojmë te qytetarët për përmbajtje të rregullave dhe rekomandimeve që i jep Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës deri sa të shërohet edhe rasti i fundit”, tha në fjalën e tij kryetari Haziri.

Haziri ka potencuar se bashkëpunimi edhe me komunitetet tjera fetare është në nivelin e lartë me qëllim që sa më pak raste të kemi në Komunën e Gjilanit.

Nga ana e tij kryetari i Këshillit të Bashkesisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, ka falënderuar kryetarin Haziri për angazhimin maksimal që ka dhënë Komuna në përballjen e pandemisë dhe menaxhimin e vështirë të gjendjes, duke u zotuar se parandalimi është detyrë e të gjithëve pavarësisht në cilën përgjegjësi dhe detyrë ndodhet.

Aliu ka konfirmuar angazhimin e mëtutjeshëm të të gjithë imamëve për respektimin e vendimeve dhe rekomandimeve të institucioneve të shtetit për të mirën e përgjithshme dhe ruajtjen e shëndetit publik.

Ai më tej ka bërë të ditur se nëpër të gjitha institucionet fetare islame e me theks të veçantë nëpër xhami çdo ditë to të bartet apeli për kujdes, përdorim të masave mbrojtëse dhe respektim të distancës, në mënyrë që rastet positive me virus në Gjilan të shkojnë drejtë pikës zero.​

Për ndryshe, kryetari Haziri ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim do të organizohen takime edhe me këshillat e fshatrave dhe lagjeve në mënyrë që së bashku të organizohet përballje e sigurtë me pandeminë e cila fatkeqësisht po merr jetë të qytetarëve dhe njëkohësisht po e ndal zhvillimin e vendit.

You Might Also Like