Gjilan

Haziri shprehet i kënaqur me dinamikën e punimeve në shëtitoren e dytë të Gjilanit

12 prill 2019 –  Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë vizitës së punimeve në ndërtimin e shëtitores së dytë në pjesën e jugut, është shprehur i kënaqur me dinamikën e punimeve atje.

“Jam i kënaqur me dinamikën e punimeve dhe tashmë ky vend po merr pamje krejt tjetër.  Ky është segmenti i cili e ka zgjidhur problemin kryesor për banorët e lagjeve Deremahallë, Lagjes së Balecit e Dardanisë, pasi nga kundërmimet e kanë pasur jetën e padurueshme. Do të vazhdojmë punën në ndërtimin e shëtitores edhe në drejtim të “Livadheve të Akllapit” dhe në drejtim të lagjes “Dardania”, ka thënë Haziri.

“Ne do të vazhdojmë logjikën e njëjtë të zbatimit të projektit për mbulimin e shtratit të lumit deri në fund, e që nënkupton edhe ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, duke i dhënë zgjidhje këtij problemi”, shtoi ai.

Haziri ka paralajmëruar se këtë vit do t’i japin zgjidhje edhe projektit të lumit Stanishorka, sikurse edhe lumit Morava.

“Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) është investitori më i madh, ndërkaq Komuna e Gjilanit së bashku me Qeverinë e Republikës merr pjesë me financa drejtpërdrejtë në këto projekte”, ka përfunduar kreu i Gjilanit.  ​

You Might Also Like