ARSIMI

Haziri u garanton nxënësve nga Kosova Lindore regjistrimin në shkollat e mesme

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka konfirmuar regjistrimin në shkollat e mesme profesionale për të nxënësit që vijnë nga Kosova Lindore, sepse siç ka thënë ai trajtimi për ta është obligim i njejtë sikur për qytetarët e lindur në Gjilan.

 

Kryetari Haziri e bëri të ditur këtë në takimin që kishte me udhëheqësin e Lëvizjes Vatra, Kushtrim Kadriu, në përkujtimin e 24 qershorit 1999, ditës kur 18 vjet më parë nga tri komuna shqiptare janë shpërngulur mijëra banorë që edhe sot e asaj dite nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre.

 

“Qytetarët e Kosovës Lindore, sot kanë bërë 18 vjet nga shpërngulja prej shtëpive të tyre. Derisa natyrshëm ata iu kanë gëzuar lirisë së Kosovës, fatkeqësisht kanë paguar çmimin e kësaj lirie me shpërngulje nga shtëpitë e tyre, si pasoj e dhunës së ushtruar nga pushteti serb. Ndërsa, sa i përket fëmijëve nga Lugina e Preshevës të cilët dëshirojnë të regjistrohen në shkollat e mesme, konkretisht në drejtimet profesionale, regjsitrimin e kanë të garantuar pa asnjë kusht të vetëm, sepse ata i trajtojmë barabarsisht me fëmijët e lindur në Gjilan dhe në Republikën e Kosovës”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

 

Haziri më tej ka konfirmuar se angazhohet që këta qytetarë të shpërngulur, që numri më i madh i tyre është në Komunën e Gjilanit, të gëzojnë të gjitha të drejtat civile në Kosovën Lindore dhe natyrisht edhe në Republikën e Kosovës.

 

Ndërsa Kushtrim Kadriu, nga Lëvizja Vatra, ka thënë se krahas kujtimit dhe dhembjes para 18 vjetësh Gjilanin e kemi adresë të halleve dhe sukseseve.

 

“18 vjet më parë mijëra banorë të pafajshëm janë larguar nga prona dhe shtëpitë e tyre në Kosovën Lindore, si pasoj e dhunës së ushtruar nga pushteti serb. I gëzohemi jashtzakonisht lajmit për regjistrimin e nxënësve të asaj ane në shkollat profesionale të Gjilanit. Kemi shpresë poashtu edhe në krijimin e kushteve për kthimin në vendlinsjet tona”, ka thënë Kushtrim Kadriu.

You Might Also Like