OPINION

Heroi asnjëherë nuk është me vonesë

Alban Hyseni
E nderuara familje Zeka,
E nderuara zonja Isufi, bashkëveprimtare e jetës dhe luftës së Heroit “Kadri Zeka”, të nderuara familje të dëshmorëve, të nderuar invalid të luftës, të nderuar veteranë të luftës, të nderuar të burgosur politikë e veprimtarë të çështjes kombëtare, i nderuar z. Ahmet Isufi, të nderuar përfaqësues të partive politike, i nderuar z. Ali Ahmeti, i nderuar Kryeministër në ardhje i Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi, të nderuar deputetë, të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,
Heroi asnjëherë nuk është me vonesë.
Heroi asnjëherë nuk është tepër.
Heroi është gjithmonë në kohë e përgjithmonë mes nesh.
Heroi është gjithmonë vlerë e shtuar e përgjithmonë pasuri.
Jemi mbledhur sot, në inaugurimin e shtatores se Heroit “Kadri Zeka”. Shëmbëlltyra e tij, përmes kësaj shtatore, po behet për jete e mot pjesë e siluetës së qytetit tonë.
Për familjen, Kadriu është i dashur i tyre, është pjesë e familjes si vëlla, xhaxha e sigurisht edhe krenari e mburrje. Për bashkëveprimtarët e kohës, Kadriu është një mik e besa edhe me shumë se mik, është bashkudhëtar, udhëheqës e prijës i një kohe dhe epoke, për të cilën edhe je fatlum që ke përjetuar, por që edhe ka shkaktuar dhimbje e vuajtje. Për të tjerët, që janë më të ri, që nuk kanë përjetuar atë që keni kaluar ju, për të cilët lufta e këto përpjekje janë kujtime, rrëfime e histori, Kadriu me shokë janë shembull dhe model.
Ai është model se si duhet atdheu.
Ai është shembull se sa duhet atdheu.
Ai është model se si duhet punuar.
Ai është shembull se sa duhet sakrifikuar.
Ai është model i liderit që na duhet sot.
Ai është shembull se sa me lehtë e kemi ne sot.
Modeli e shembulli i Kadriut, qofshin rruga e brezave që po vijnë e janë. Puna e angazhimi jonë i përditshëm bëhen shume më të lehtë kur je pranë dhe e ndjenë prezencën e tij sot. Duke qene se ai është i përhershëm, kjo ndihmon e lehtëson përkujtimin.
Sot, të jesh lider e udhëheqës është shumë më e lehtë se më parë. Tani, kërkohet punë, angazhim, përkushtim e dinjitet, përderisa në kohën e tij, e gjithë kjo bëhej nën rrezikun permanent të armikut, nën kërcënimin për jetë.
Ndërsa jemi mbledhur për të parë të shkrirë në bronz Kadriun, jemi këtu edhe për ta përkujtuar atë. Me 17 janar 1982, Kadriu bashkë me shokët: Jusuf e Bardhosh Gërvalla, në Untergrupenbach të Gjermanisë, janë vrarë dhe ekzekutuar mizorisht e tinëzisht nga shërbimi sekret serb UDB. 12 plumba të shkrepur mbi trupat e tyre.
Muaji Janar, për vendin e popullin tonë, do të kthehej në muaj të zjarrtë. Pavarësisht që në dimër e me acar, përpjekjet e Kadriut e shokëve të tij, vazhdonin. Janari ishte i kapur nga flakët. Flaka e Janarit. Ky muaj dhe manifestimi i filluar 33 vite më parë, këtë vit pra, në edicionin e 33-të, po vazhdon të jetë pjesë e historisë tonë. E gjithë lavdia e historisë duket aq afër, sa e ndjejmë!
Të nderuar të pranishëm,
Le te jemi të gjithë bashkë. Të qëndrojmë pranë njeri tjetrit. T’i kujtojmë përherë, ata që sot, fizikisht nuk janë në mesin tonë. Le t’i mbajmë përgjithmonë në mendjet e zemrat tona. Le të jenë ata, që na udhëheqin në punën e angazhimin tonë drejt së ardhmes!
Zotohem sot, para jush dhe HEROIT TONË, që si kryetar komune, do të përpiqem maksimalisht, me nderë e përpikëri, të shërbej në të mirë të vendit, qytetit e qytetarëve tanë!
Në Kodrën e Dëshmoreve, ku prehet përjetësisht Kadriu dhe dëshmorët e tjerë të lirisë, jemi përkujdesur, që brenda këtij viti, të përfundojmë ketë projekt të nisur shumë vite më parë.
Qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët e lirisë!
Lavdi dëshmorëve dhe heronjve të kombit shqiptar!
Lavdi Heroit të kombit “Kadri Zeka”!

You Might Also Like