Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe drejtori për Zhvillim Ekonomik Enver Shabani, ishin pjesë e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit në zonën malore të Grenoble në Francë.
Pjesë e këtij aktiviteti ishin 12 komuna nga Kosova në nivel të kryetarëve dhe drejtorëve të Zhvillimit Ekonomik.
Përveç vizitës në panair, Swisscontact në bashkëpunim me partnerët nga Franca ka organizuar edhe një sërë vizitash dhe takimesh të drejtpërdrejta të delegacionit nga Kosova me përfaqësues të institucioneve vendore dhe rajonale në disa lokalitete të këtij rajoni alpin për të mësuar më shumë për rolin dhe vizionin strategjik të autoriteteve vendore në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit malor.
Në kuadër të përpjekjeve në rritje të komunave të Republikës së Kosovës për forcimin e sektorit të turizmit të qëndrueshëm, pjesëmarrja në këtë panair paraqet një mundësi të shkëlqyer që ndihmon në thellimin e njohurive, shkëmbimin e ideve dhe krijimin e kontakteve të reja me akterët relevant ndërkombëtar nga fusha e turizmit qoftë nga sektori publik apo privat.
Ky aktivitet mbështetet nga Swisscontact në Kosovë, përmes projekteve FEGO dhe PPSE Program Swisscontact, në bashkëpunim me 12 komuna në Kosovë.