Gjilan, 21 janar 2024 – Në 18-vjetorin e vdekjes së presidentit dr. Ibrahim Rugova, nën patronatin e presidentes së Kosovës dr. Vjosa Osmani – Sadriu, në kuadër të “Flakës së Janarit”, është mbajtur Akademi Përkujtimore për ish-presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Kjo akademi ka nisur me paraqitjen e Korit të Grave “Muzat”, të cilat kanë kënduar Himnin e Kosovës dhe “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”, i njohur si Himni i Rugovës. Në këtë akademi kanë marrë pjesë krerët më të lartë të vendit, dr. Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ish-kryetar i Kosovës, Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre, kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, familjarë të ish-presidentit Rugova dhe të tjerë.
Fillimisht në cilësinë e nikoqirit është paraqitur kryetrari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili ka thënë se Ibrahim Rugova ka lënë një veprimtari të gjatë politike, e cila vazhdon të mbetet trashëgim i brazave që vijnë pas tij. Pasi ka folur për jetën e dr. Ibrahim Rugovës, kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka theksuar se në këtë muaj, Gjilani përkujton dëshmorët e kombit, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, që na lë të kuptojmë se ajo që është arritur sot është bërë me shumë mund e sakrificë të brezave të tërë para nesh e ndër ta edhe dr. Ibrahim Rugova ishte i pareshtur dhe i palodhur në angazhimin e tij në të mirën e vendit, ai e përfaqësonte popullin shqiptar, duke qenë profesor universiteti e një ndër vlerat më të mëdha të tij ishte ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, lufta çlirimtare, sakrificat dhe përfaqësimi dhe të gjitha këto bashkë me luftën çlirimtare ndikuan përfundimisht dhe quan në largimin e okupatorit dhe në arritjen e lirisë.
“Në këto kohë të vështira, kur ka konflikte e trazira gjithandej në botë, duhet të jemi të bashkuar, ngase vetëm bashkë mund të jemi të fortë. Lufta politike e përçarjet nuk i bëjnë mirë atdheut dhe nuk nderojnë figurat e atdheut tonë, andaj të jemi unik e të bashkuar ashtu siç do të donte të na shihte çdo njeri që ka kontribuar në lirinë e Kosovës”, ka thënë kryetrari i Gjilanit, Alban Hyseni.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Ibrahim Rugova nuk ishte vetëm një president, por më shumë se kaq, një shqiptar i lidhur fort për rrënjët, për kulturën dhe trashëgiminë e vendit të vet. Ai ishte i lidhur me vendin dhe popullin e vet, me vlerat, me përkushtimin për t’a krijuar shtetin e për ta ruajtur lidhjen me Aleancën Euro-atlantike, ai qe vërtetë biri i Kosovës, i shërbeu asaj deri në frymën e fundit.
“Ai e deshi Kosovën dhe dha gjithçka për të, sikur që Kosova e deshi birin e vet e mbrojti atë dhe i dha atij lavdinë e paskajshme. Kosova ishte me fat që kishte një njeri siç ishte Ibrahim Rugova, një njeri i urtë e vizionar, i cili u shndërrua shpejt në frymë që nuk shuhet. Ai qe mobilizues i masave mbi vlerat e lirisë, pati aftësi intelektuale e morale për t’a mbrojtur e kultivuar fjalën e lirisë, mendimin e lirë, kërkesën për lirinë e individit e lirinë kolektive të popullit e duke kërkuar atë u shndërrua në model të prijësit i cili na mësoi si t’a mbërrijmë lirinë”, tha presidentja Osmani, që ka shtuar se presidenti Rugova i dha politikës dimensionin më të çmueshëm, atë human e afroi atë me njerëzoren. I urtë e i matur, por shumë i vendosur , fliste shkurt, por fjalët e tija kumbonin shumë, e zgjoi ndjenjën kombëtare e ndjenjën për liri.
“President, arkitket i pavarësisë, ideologu e vizionari i pashoq, shembull i një atdhedashurie që nuk zhduket kurrë. Njeri që përherë do të mbetet në themelet e shtetit të Kosovës, njeri që përfaqëson frymën e lëvizjes dhe përpjekjes së gjatë për pavarësi”, ka thënë Vjosa Osmani, presidentja Vjosa Osmani, që tha se vdekja e tij në janarin e vitit 2006, nuk e zbehu asnjëherë jehonën, por mbeti fanar që na udhëheq.
Ish-presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe njëri ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit Rugova, ka thënë se ishim me fat që kishim prijësin e liderin, dr. Rugova që i dha vizion projektit tonë për liri e pavarësi, duke bashkuar shqiptarët në luftën e tyre për procesin e lirisë.
“Ai arriti të krijojë mirëkuptimin e gjithë botës demokratike dhe të miqve tanë, ai ndërtoi themelet e shtetit tonë mbi parimet Liri, Pavarësi, Demokraci. Ai ishte i palëkundshëm në parimet e tija. Ishte lider i rezistencës aktive, u shndërruar në emblemë, na tregoi rrugën nëpër të cilën duhet ecur. Ai gjeti një model unikat për të arritur Pavarësinë e Kosovës, vure themelet e shtetit, internacionalizmin e shtetit, ia hapi derën paqes, ishte vizionar, i durueshëm, na nxiti të punojmë shumë me miqtë”, tha ndër të tjera ish-presidenti Sejdiu, që shtoi se Rugova ishte i mirëpritur kudo. Ishte njeri që projektoi idenë e pavarësisë, por që nuk pati fatin që t’a pres ditën e Pavarësisë së Kosovës, e cila megjithatë erdhi, ngase Rugova kishte besim të plotë se kjo ditë do të vije, ai ishte frymëzim për shqiptarët kudo, njeri i shtetndërtimit, vizionar, idetë e tija tash u bënë realitet, ai ishte lider i masave të papërsëritshme, andaj edhe sot jemi krenarë që jetuam dhe ecëm përkrah tij, ai ishte dhe mbetet frymëzues për ndërtimin e shoqërisë moderne, andaj të punojmë më tej në projektin që na e trasoi presidenti Rugova.
Në emër të qeverisë së Kosovës foli zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila tha se ai ishte veprimtarë për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai mori mori përsipër udhëheqjen për lirinë e pavarësinë e Kosovës edhe atë në kohët më të vështira.
“Ai udhëhoqi themelimin e partisë së parë demokratike në Ballkan, duke qenë kryetar i LDK-së, e cila bë lëvizja për çlirim dhe çerdhes kombëtare. Me vizonin largpamës dhe udhëheqjes së tij të matur e të mençur, nisi rezistencën qytetare pa dhunë, por shumë civile bashkë me bashkudhëtarët e tij, shpalli pavarësinë dhe jetësimin e saj. Aktiviteti i tij po krijonte ura miqësie me qendrat e mëdha, dyert për Kosovën po hapeshin kudo në botë, Kosova u fut në agjendat e vendosjes botërore. Ai ishte bujar e konstruktiv me rivalët politik, për të më së shumti rëndësi kishte Kosova, mbeti parimor për liri, pavarësi e demokraci”, tha zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla. Trashëgimia më e madhe e Rugovës është vetë, Kosova, tha ajo.
Në pjesën artistike të Akademisë, Orkestra e Harqeve e Filarmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari performoi me veprat e kompozitorëve botërorë dhe kosovarë, kurse në rolin e solistit u paraqit tenori Liridon Sadriu.
Në fund kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i dhuroi djalit të presidentit të Kosovës, Ukë Rugovës, plaketën tradicionale të Manifestimit “Flaka e Janarit”.