Sportet me dorë

Imri Murtezi, hendbollisti që la gjurmë të pashlyeshme në sportin gjilanas

Kur ai ekzekutonte penaltinë, portierët rëndom ngelnin të shtangur. Me një teknikë të përkryer Imri Murtezi lëshonte topin dhe në kohën kur portierët mendonin se është një mashtrim, ai me dorën e tij të butë lëshonte topin, i cili lehtas përfundonte në rrjetë. Dhjeta e qindra herë e kishte bërë një veprim të tillë, por rrallëkush kishte arritur t’a pengoj këtë mjeshtëri të këtij hendbollisti cilësor.

Se me hapa të mëdhenj po hynte në hendbollin kosovar, Imri Murtezi kishte dëshmuar tejet i ri, kur në vitet e tetëdhjeta kishte nisur të luajë në Klubin e Hendbollit Bozhur nga Gjilani, i cili në atë kohë garonte në Ligën e Dytë Federative të Jugosllavisë, shtet i cili shquhej me hendbollin më të fortë në botë.

Ishte kohë kjo kur Palestra e Sporteve mbushej përplot, kurse Imri Murtezi bashkë me bashkëlojtarët e tij kishin bërë emër në këtë sport, mirëpo në fillimvitet e nëntëdhjeta, sporti kosovar u pavarësua, përfshirë këtu edhe hendbollin, i cili u pagëzua me emrin KH Drita. Pikërisht në këtë kohë, gjenerata në të cilin luante Imri Murtezi ishte më premtuesja dhe megjithëse hendbollistët shqiptarë u përjashtuan nga Palestra e Sporteve, tashti hendbolli ndonëse në kushte të vështira vazhdoi të luhej në fushën e sporteve te Shkolla Fillore “Selami Hallaqi” dhe Gjilani ishte bërë edhe strehë e ekipeve të tjera, shpesh duke qenë organizator i kampionatit.

Edhe në këto kushte Imri Murtezi ngeli ndër lojtarët më të dalluar. KH Drita ia doli që të shpallet kampione në vitin 1998, kohë kur shkaku i luftës kampionati ishte ndërprerë. Pas luftës, Imri Murtezi, tashmë lojtar i rryer vazhdoi të shkëlqejë me rikthimin në palestrat sportive, duke qenë edhe kapiten i ekipit për 15 vite.

Ky lojtar i gjeneratës së artë të KH Drita mesatarisht shënonte 7 deri në 8 gola, kurse ekzekutimin e penaltive vazhdonte t’a kishte specialitet.

Lojërat e tija të mrekullueshme kanë bërë që ai të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës edhe atë të gjeneratës së parë, kurse me paraqitjet e tija ai ishte bërë frymëzim dhe inspirim i gjeneratave të reja, duke bërë që në atë kohë hendbolli të ishte sporti numër një në Kosovë.

Golat të cilët i shënonte Imri Murtezi ishin art në vete, në gjuajtjet e tij gjithnjë kishte diç të re e të papritur e kjo bënte që publiku të ngazëllehej, ta pëlqente shumë, të ishte idol i tyre.

“Gjatë karrierës sime si hendbollist gjithnjë në shpinë kam mbajtur numrin katër, numër të cilin nuk e kam ndërruar kurrë”, thotë Imri Murtezi, i cili edhe pas tërheqjes nga hendbolli rregullisht ka përcjellë ndeshjet e KH Drita, duke qenë shpesh afër këtij klubi dhe duke e ndihmuar sa herë që ka patur nevojë.

Tashti, kur KH Drita është kthyer në Superligën e Kosovës në Hendboll, Imri Murtezi kërkon që ky klub të përkrahet, të ruhet tradita e këtij sporti, ngase pikërisht nga ky sport në Gjilan kanë dalë emra të mëdhenj të hendbollit kosovar e në radhët e tyre pa dyshim se hynë edhe Imri Murtezi, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në hendbollin kosovar./kryelajmi.com/.

You Might Also Like