Cikli i konferencave të subjekteve politike që përfaqësohen në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka vazhduar të mërkurën me Nevzad Isufin, shef i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili i ka bërë një vlerësim të gjerë punës së qeverisjes dhe vendimmarrjes komunale.
Duke mos mohuar se janë bërë edhe punë të mira, Isufi ka thënë se ai do t`i nënvizojë të metat e këtij pushteti, meqë ky është edhe roli i opozitës. “Kritika e mirëfilltë duhet vlerësuar”, ka thënë ai.
Sipas tij, ulja qind për qind e taksave, shlyerja e borxheve për bizneset, sistemi i ujitjes dhe projektet tjera në bujqësi, ulja e tatimit në pronë për 40 për qind, pastaj ujërat e zeza në Malishevë, rritja e përfaqësimit të femrave në ekzekutiv, përkrahja më e madhe për familjet e dëshmorëve si dhe premtime të tjera të kësaj qeverisje, nuk janë realizuar fare, ose janë realizuar pjesërisht.
Si premtime tjera të pa realizuara, Isufi ka përmendur edhe rrugën me katër krosi Gjilan-Prishtinë, rritjen e pastërtisë në qytet, më shumë parqe dhe kopshte për fëmijë, ndriçimin publik, depolitizimin e arsimit dhe administratës, shërbimet më të mira mjekësore për qytetarë dhe të tjera.
Ndërkaq, si premtime të mbajtura, ai ka përmendur dhënien e objektit të Komunës për muze, ndërtimin e çerdhes në lagjen “Dardania” , ku janë duke vazhduar punimet si dhe ndonjë investim tjetër.
Shefi i grupit të këshilltarëve të VV-së, ka folur edhe për raportin e kryetarit të Komunës me opozitën. “Do të ishte jo korrekte të thosha që kryetari, në paraqitjet e tij, na ka injoruar neve si opozitë, madje disa herë na ka cituar dhe na ka dhënë të drejtë gjatë seancës, por rekomandimet tona nuk janë proceduar më tutje”.
Kështu p.sh. në gjysmën e parë të muajit mars, ne si grup opozitar patëm bërë një varg propozimesh për të eliminuar shumë shkelje e parregullsi në Kuvend dhe Komitete, por seanca e premtuar e Kuvendit, për t`i trajtuar këto rekomandime, nuk u thirr.
Edhe puna e Kuvendit dhe trupave të tij, është përcjellë me mangësi e shkelje të rregullores. Plani i punës së Kuvendit, për këtë vit, ka qenë relativisht i varfër dhe me gabime serioze. “Në Kuvend mungon debati i mirëfilltë, i arsyeshëm dhe konstruktiv”, ka thënë Isufi.
Isufi është ndalur edhe te puna e drejtorive komunale dhe veçmas te Arsimi, ku sipas tij, ka pasur punësime me kontrata në vepër, pastaj parregullsi tek regjistrimi i nxënësve në klasën e dhjetë, sikurse edhe te kampusi i shkollave të mesme, te përgatitjet për periudhën e dimrit dhe të tjera.
“Unë mendoj se qytetarët meritojnë një qeverisje shumë më të mirë, më të përgjegjshme dhe më efikase se kjo”, ka thënë ndër të tjera Nevzad Isufi (VV).
Konferencën e organizuar nga Zyra për Informim, Isufi e ka vlerësuar si një mundësi të mirë për opozitën, që t`i paraqes vërejtjet e saj për punën e institucioneve komunale.
Lëvizja Vetëvendosje, si parti opozitare në Gjilan, përfaqësohet në Kuvend Komunal me 4 këshilltarë.