LAJME

Ja cilët janë drejtorët komunalë në Gjilan

Gjilan, 30 prill 2018 – Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje mes LDK’së, AAK’së dhe AKR’së, ka bërë publike sot emërimet e larta në Kabinetin e tij.

Nënkryetar është e emëruar Arbër Ismajli (LDK), ndërkaq shef i Kabinetit për mandatin e ri,  Faton Bislimi (LDK).

Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë do ta udhëheq, Sadudin Berisha (LDK), atë të Bujqësisë, Ramiz Ramadani (LDK), resorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Shpresë Hajdari (LDK), Drejtorinë e Inspeksionit, Nevzad Rushiti (LDK), të Buxhetit dhe Financave, Zijadin Maliqi (LDK), përderisa drejtor në Shërbimet Publike është emëruar Naser Korça (LDK).

Bekim Bajrami është emëruar drejtor në Urbanizëm, që sipas Hazirit, ka ardhur si propozim i organizatave të biznesit, ndërkohë Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik do ta udhëheq Valbona Tahiri, e cila vije nga shoqëria civile.

Drejtor i Administratës së Përgjithshme është emëruar Bardhyl Syla (LDK), i Arsimit, Nazim Gagica (AAK), i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Selami Xhemajli (AAK), përderisa i asaj për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sami Spahiu (AKR).

Haziri me këtë rast ka bërë publike se dy asistente politike do të jenë, Florentina Haliti dhe Deniza Limani.

“Bashkë me partnerët, do të punojmë në implementim të programit “Gjilani 2018 Plus”, zhvillim të infrastrukturës, arsimit, kujdesit shëndetësor, zhvillimit lokal ekonomik, pakon për familjen bujqësore, zhvillimin e politikave të rinisë, avancimin e gruas në vendimmarrje dhe për një sport të afirmuar edhe ndërkombëtarisht”, ka thënë kryetari i Gjilanit,.

 

Ai bëri të ditur se do të emëroj edhe nënkryetarin për komunitete dhe pakica, i cili do të vije nga KDTP, ndërsa zëvendëskryesuesi në Kuvendin Komunal do të jetë nga Lista Serbe.

I pari i Gjilanit theksoi se pas 100 ditëshit të parë, së bashku me partnerët do ta diskutojnë nëse të emëruarit i kanë arritur objektivat.

“Nëse nuk i realizojnë objektivat, ne do t’i revokojmë. Toleranca është zero”, tha ai.

Kryetari Haziri, në fund, i ka falënderuar ish-drejtorët për punën që e kanë bërë gjatë mandatit të kaluar.

Edhe përfaqësuesit e partive politike kanë shfaqur zotimin se gjatë mandatit katër vjecar do të punojnë për një Gjilan zhvillimor

për të mirë të qytetarëve.

You Might Also Like