Gjilan

Ja kur do të mund t’i marrin mësimdhënësit gjilanas mjetet që burojnë nga kontrata kolektive

Komuna e Gjilanit është e sigurtë se e ka humbur gjyqin me mësimdhënësit, të cilët kanë bërë padi në gjykata duke kërkuar jetësimin e obligimeve të komunave që dalin nga kontrata kolektive. Mjetet për shujta, udhëtim, paga jubilare dhe detyrime të tjera të parapara në kontratë do të duhet t’u paguhen mësimdhënësve gjilanas, shkruan kryelajmi.com. Këtë detyrim e ka trashëguar edhe qeverisja e re komunale në Gjilan, e cila ka rreth 1400 mësimdhënës e komuna e Gjilanit ka rreth 2000 padi, nga të cilat shpenzimi procedural për një padi është 280 euro për realizimin e procedurës gjyqësore e shpenzimet procedurale i bart pala e cila e humb gjyqin.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në një konferencë me gazetarë ka pranuar se këto konteste gjyqësore me mësimdhënësit do t’i humb komuna, sepse janë ato burojnë nga kontrata kolektive. Vlera e tyre totale vetëm për shpenzime procedurale arrin tek 560 mijë euro, pra këto të holla duhet t’i paguaj komuna, nëse shkojnë procedurat deri në fund pa e përfshirë edhe pjesën tjetër të obligimeve siç janë pagat jubilare, shujtat, udhëtimi dhe obligime të tjera.

“Ne këto padi i kemi gjetur në proces dhe vazhdimisht po vijnë padi të reja, andaj gjatë kësaj jave kam zhvilluar takim me sindikatën e mësimdhënësve dhe i kam ftuar ata që të bëjnë një takim të përbashkët me përfaqësuesit e mësimdhënësve të secilës shkollë dhe pjesë e takimit të tyre të jem edhe unë dhe që bashkërisht të bëjmë një marrëveshje në të cilën ne zotohemi për të paguar këto mjete, sepse praktikisht është obligim që buron nga kontrata kolektive, është një obligim që komuna nuk i ik”, ka thënë kryetari Alban Hyseni, që ka shtuar se komuna do të mundohet që t’i shmanget obligimit nga 280 për çdo padi dhe obligimet tjera që mund të dalin nëse obligimet duhet të realizohen nëpërmjet përmbaruesit.

“Duhet shmangur kalimin në fazën e dytë në gjykata. Ne jemi të gatshëm që t’i paguajmë këto borxhe nga viti i ardhshëm e tutje, ngase këtë vit ato mjete nuk janë të parapara me buxhet, ngase ai është aprovuar më herët e nga viti i ardhshëm e tutje duhet t’i kalkulojmë në kuadër të buxhetit të komunës dhe t’i paguajmë obligimet që dalin nga kontrata kolektive”, ka thënë Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit./kryelajmi.com/.

You Might Also Like