Në moshën 70-vjeçare ka ndërruar jetë Nuhi Nuhiu, ish-drejtor komunal në Gjilan, kanë bërë me dije familjarë të të ndjerit, shkruan kryelajmi.com
Nuhi Nuhiu ishte i lindur në Përlepnicë në vitin 1953, ku e ka kryer Shkollën Fillore, kurse shkollën e mesme e kreu në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan. Studimet i kreu në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Në fillim punoi mësues në Shkollën Fillore “Skënderbeu” në Përlepnicë, pastaj ishte shef i kontabilitetit në Kooperativën “Përlepnica” e më pas ishte edhe drejtor në këtë ndërmarrje. Pas luftës për 14 vite punoi në sektorë të ndryshme në Administratën Komunale e më pas ishte edhe Drejtor në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa.
Ai ishte aktiv në jetën kulturore, sportive në fshatin e tij të lindjes në Përlepnicë, ishte aktiv në jetën politike në Komunën e Gjilanit dhe së fundi, në muajin e kaluar si bashkautorë nxori në dritë librin “Mësimdhënësit dhe të burgosurit politikë të Përlepnicës”.
Familjarët kanë bërë me dije se për varrimin e të ndjerit do të njoftojnë me kohë./kryelajmi.com/.