Sportet luftarake

Karateistja e njohur Albiona Asllani i dha fund beqarisë

 

Fituese e shumë medaljeve në arenat vendore e ndërkombëtare, sportiste e dalluar e më vonë edhe trajnere e karatesë, Albiona Asllani i ka dhënë fund beqarisë.

Albiona Asllani hynë në radhën e plejadës së karateisteve më të mira që ka patur Kosova, duke i sjellë vendit të saj medalje të çmueshme, kurse gjatë tërë kohës ajo ka patur përkrahjen  edhe të motrave të saja karateiste dhe të prindërve.

Sot në vitrinat e kësaj sportisteje të madhe shkëlqejnë mbi 150 medalje dhe mbi 28 kupa, qindra mirënjohje e lëvdata nga garat vendore, në rajon, por edhe në garat botërore, përfshirë këtu edhe Kampionatin Botëror të mbajtur në Gjermani “IMAF EN 2011” dhe 2012, ku Albiona është shpallur kampione në kumite individuale, kata dhe ato ekipore, duke qenë bashkë me motrën Abana Asllani dhe karateisten tashmë të njohur Fortesa Orana. Po në Gjermani, në qytetin Trier, ajo shpallet kampione evropiane ku është stolisur me 3 medalje, derisa në Kampionatin Botëror “World Shotokan Karate Union” gjithashtu shpallet kampione.

Ajo gjashtë herë ishte shpallur kampione e Kosovës në kategorinë e saj, më 2004, 2006, 2007, 2008, 2010 dhe 2013, kurse pesë herë ishte futur në dhjetëshen e sportisteve më të mira nga Federata e Karatesë, derisa gjashtë herë ishte shpallur sportistja më e mirë e Klubit të Karatesë Drita nga Gjilani e tri herë është shpërblyer me mirënjohje. Ndër rezultatet e kësaj karateiste të madhe, duhet veçuar edhe tre tituj të nënkampiones në Kampionatin Mbarëkombëtar, të organizuar nga Federata Shqiptare e Karatesë. Me medalje të argjendtë ishte stolisur 12 herë në Kampionatin e Kosovës, kurse 14 herë ishte e bronztë, kurse të panumërt janë sukseset e saja nëpër turne të ndryshme të karatesë si ai “Adem Jashari”, “Agim Ramadani – Katana”, “Struga Open”, “Ohrid Open”, “Shkupi”, “Ulqini”, “Luan Haradinaj” dhe shumë e shumë turne të tjera në Kosovë e rajon.

Asaj gjithmonë i qëndroi afër prindi i saj, dr. Agim Asllani, trajnerët Kadri Elezi, Idriz Musliu, Blerim Hajdari, Reshat Halili, i ndjeri Nexhati, motra e saj Albana që gjithnjë i qëndroi afër, gjë që falë punës së tyre Albina Asllaniu bë një karatiste e njohur, profesioniste, e motivuar dhe sportiste e vërtetë. Ajo është shquar me aftësi e karakter të vecantë, me një teknikë të përsosur, por edhe me dije të madhe në zejen e karatesë duke fituar diploma të ndryshme e duke marrë pjesë në seminare të ndryshme të karatesë anekënd botës dhe është pajisur me licencën e trajneres, andaj në gjashtë vitet e fundit ajo ka qenë trajner e rregullt e Klubit të Karatesë Drita.

Pos sportiste e dalluar, Albiona ka kryer edhe Fakultetin Ekonomik – kontabilitet, banka e financa dhe është duke vazhduar studimet master në Prishtinë, ku është në përfundim të këtyre studimeve e ditë më parë, ajo i ka dhënë fund beqarisë dhe tash nis një epokë tjetër në jetën e saj.

Albiona, si sportiste e vërtetë falënderon familjen, trajnerët, bashkëgaruesit, por edhe nxënësit e saj ndër vite që rrugëtuan së bashku në arritjen e sukseseve të mëdha, duke e bërë krenarë jo vetëm Gjilanin e Kosovën, por edhe mbarë popullin shqiptar. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like