Në Beguncë të Vitisë, sikur edhe viteve te mëparëshme është përmbyllur mbrëmë Manifestimi tradicional “2 Korriku”, me një varg aktivitetesh kulturore e sportive. Ky Manifestim që organizohet nën përkujdesjen e Komunës së Vitisë, respektivisht Drejtorisë për Kulturë Rini e Sport, për ditë të tëra ka grumbulluar ekipe të ndryshme futbollistike anë e mban Kosovës dhe më gjerë.
Me këtë rast, është shënuar 28 vjetori i shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, ku në manifestimin qendror ishin të pranishëm edhe ish delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës. Ish delegatja e atëhershme Feride Hyseni, në fjalën e rastit ka rikujtuar përkushtimin dhe kontributin e delegatëve me 2 Korrik, si një përpjekje e vazhdueshme për shtetformim.
Ndërsa kryetari I komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka theksuar se turneu për 2 Korrikun, po hyn në decenien e tretë të zhvillimit dhe si i tillë në vazhdimësi është rritë dhe ka mbërri cilësi e kualitet.
Për këtë zhvillim të mbarë të kësaj ngjarje sportive, kryetari Haliti ka falënderuar gjithë mekanizmat e organizimit, në veçanti këshillin organizativ të fshatit Beguncë dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sport. Përmbyllja e manifestimit sportive të “2 Korrikut”, është karakterizuar me disa valle të Ansamblit “Kemajl Azizi”, dhe nxënësve të shkollave fillore.
E me me një performancë të shkëlqyeshme që u mirëprit nga shikuesit ishte paraqitja e gjimnasteve të reja të Klubit të Gjimnastikës “Halil Alidema”,të udhëhequra nga profesori Hazir Alidema, kurse ngjarja më kulmore e kësaj mbrëmje ishte ndeshja finale futbollistike mes ekipit “Euro Abi”- “Droba” që përfundoi me rezultat 4:2. Aziz Zuka