Gjilan, 10 maj / Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit, ndërkohë që është shprehur i shqetësuar me rastet e vetëvrasjeve që kanë ndodhur kohëve të fundit, dukuri kjo që nuk ka qenë kaq e theksuar më përpara.
Fillimisht, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka prezantuar përbërjen e re të KKSB, ku janë bërë disa plotësime e zëvendësime si dhe ka autorizuar Halit Rexhepi, për koordinator të kësaj trupe komunale, duke nënvizuar faktin se ai e ka dijen dhe përvojën e duhur, meqë e ka udhëhequr Këshillin edhe në mandatin e kaluar.
Përndryshe, në këtë takim, të dytin me radhë, KKSB ka shqyrtuar dhe miratuar planin e punës për vitin 2018 si dhe është informuar për gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit, për gjendjen e varrezave ortodokse, pastaj për gjendjen në sektorin e emergjencave si dhe për projektin e vendosjes së kamerave në qytet.
Plani i punës u miratua me plotësime, ku me propozimet e tyre kontribuuan Shqipe Haziri, Domenik Qerimi, Agim Hyseni, Ramadan Kurteshi dhe të tjerë. Halit Rexhepi, koordinator i KKSB, tha se plani punës parasheh aktivitet kryesore, por sipas tij, ky plan mund të plotësohet me propozime e tema të tjera.
Sa iu përket varrezave ortodokse, prifti Aleksander Markoviq kërkoi që intervenohet në rregullimin e hapësirës, meqë gjendja sipas tij, nuk është e mirë, kurse Agim Hyseni, përfaqësues i Këshillit të Bashkësisë Islame, tha se gjendja në varrezat e qytetit, përgjithësisht është e rëndë, pavarësisht përkatësisë fetare të të vdekurve, të cilët meritojnë respekt njësoj sikur të gjallët, ka shtuar ai.
Për më tepër, Hyseni ka thënë se urgjentisht duhet të caktohet një lokacioni ri për varreza, ndërkaq varrezat ekzistuese duhet të mbyllen dhe konservohen, sepse nuk ka më hapësirë për varre të reja.
Halit Rexhepi ka thënë se këto kërkesa do t`ia përcjellë kryetarit të Komunës dhe me institucionet përkatëse do të iniciojë një projekt për pastrimin e varrezave ekzistuese, përkatësisht për sigurimin e një lokacioni të ri për varreza.
Përndryshe, siguria e përgjithshme në komunën e Gjilanit, është vlerësuar e qetë. Naser Rrahmani, zëvendëskomandant i Stacionit Policor, ka thënë se gjendja është në parametra normalë, madje në këtë periudhë, në krahasim me periudhën njëjtë të vitit të kaluar, ka një rënie prej mbi 36 për qind të veprave të ndryshme penale, ka thënë ai.
Sa i përket gjendjes në varrezat ortodokse, Rrahmani ka thënë se bëhet fjalë për dëme të mëhershme, sepse raste të tjera nuk ka pasur prej kohësh.
KKSB ka diskutuar edhe për gjendjen e komunikacionit në qytet, e cila ndodh të rëndohet herë pas here në udhëkryqet kryesore, me ç`rast i ka kërkuar policisë që të bëjë mbikëqyrje të përhershme në këto pika, për të shmangur bllokimin e rrugëve.
Një raport për gjendjen në sektorin e emergjencave e ka thënë Sami Spahiu, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim, i cili ka thënë se ky segment mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e pasurisë dhe jetës së qytetarëve në rastet kur ata rrezikohen nga vërshimet, zjarret dhe fatkeqësitë tjera natyrore, siç e dëshmoi edhe ditëve të fundit, me rastin e reshjeve të shiut, duke intervenuar kudo që kishte nevojë.
Spahiu tha se do ta ngritin nivelin e gatishmërisë për reagim në situata emergjente, por sipas tij, është i nevojshëm një pastrim urgjent i shtretërve të lumenjve, në mënyrë që të zvogëlohet mundësia për dëme dhe pasoja nga vërshimet eventuale.
Në funksion të rritjes së sigurisë, në Gjilan është duke u bërë instalimi i kamerave në qytet, një projekt ky që po realizohet nga Komuna e Gjilanit, në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, e cili, siç ka thënë Rexhepi, ishte iniciuar pikërisht në KKSB dhe kishte marrë përkrahje nga kryetarin i Komunës, Lutfi Haziri.