Gjilan

Komiteti për Bashkëpunim Ndërkufitar përshëndet nismën për pjesëmarrje e komunave në fondet e përbashkëta evropiane

Komiteti për Bashkëpunim Ndërkufitar (KBN) në Gjilan, ka mbajtur sot një takim me përfaqësues të institucioneve lokale nga Komuna e Bujanocit, ku është biseduar për bashkëpunimin ndërkufitar në nivel komunash, veçmas ndërmjet Gjilanit e Bujanocit si dhe nevojën për shtrirjen e këtij bashkëpunimi në një rrafsh më të gjerë, duke përfshirë edhe komunat e banuara me shqiptarë përgjatë brezit kufitar në Maqedoni.

Kjo iniciativë është mirëpritur nga pjesëmarrësit, ndërkohë që janë diskutuar edhe çështje të tjera që ndërlidhen me aspekte të sigurisë, avancimin e mëtejmë të kulturës, bujqësisë, turizmit e të tjera.

Kushtrim Kadriu, kryesues i KBN ka thënë se në këtë takim me përfaqësues të institucioneve shqiptare nga komuna e Bujanocit, janë trajtuar çështje të shumta që ndërlidhen me aspekte të përgjithshme të bashkëpunimit ndërkomunal.

“Vizitat e ndërsjella të zyrtarëve të komunës se Gjilanit dhe asaj të Bujanocit, janë shumë domethënëse për ngritjen e urave të reja të bashkëpunimit”, ka thënë Kadriu, duke e nënvizuar veçmas rëndësinë e vizitës së djeshme të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në Preshevë e Bujanoc, ku ishte i shoqëruar edhe nga kryesuesi i Komitetit për Bashkëpunim Ndërkufitar (KBN).

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri, gjatë vizitës në Luginë, ku pati takime me kryetarë të Komunave Preshevë e Bujanoc, me deputetin Fatmir Hasani si dhe me drejtues të tjerë institucionalë, Jonuz Musliun e Nagip Arifin, ka folur për pjesëmarrje të përbashkët në fondet evropiane, duke nënvizuar se bashkëpunimi është me interes të këtyre komunave e veçanërisht të qytetarëve të këtyre vendeve. Kadriu ka thënë se nisma për bashkëpunim është mbështetur nga të gjithë në Luginë, madje është thënë se kjo nismë është dashur të bëhet edhe më herët. Anëtarja e Komitetit, Shadije Rexhepi i ka njoftuar anëtarët e Komitetit me mundësitë dhe

projektet që mund të realizohen, pasi që ajo ka një përvojë në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar.

Në fund, Sami Azemi, anëtar i Komitetit për Bashkëpunim Ndërkufitar në Gjilan, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme nismën, është shprehur i bindur se ky bashkëpunim do të pasohet me rezultate konkrete.

You Might Also Like