Gjilan, 3 tetor 2023 – Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në Gjilan është mbajtur sot mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së humanistit e veprimtarit, Mehmet Murtezi, në ngjarjen ku morën pjesë përfaqësues institucional në nivel lokal dhe qendror, përfaqësues nga Bashkësia Islame e Kosovës, veprimtarë e qytetarë të shumtë.
Kryetari Hyseni tha Mehmet Murtezi ishte aktivist, humanist e veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, duke shtuar se si do të kujtohet gjatë për profesionalizmin dhe angazhimin e tij në të mirën e vendit dhe qytetit.
“Mehmet Murtezi ishte emër i njohur për qytetin për angazhimin dhe kontributin e tij në çështjen kombëtare qysh në moshën e hershme. Ai shquhej për organizimin dhe bashkëpunimin me shokët e kolegët kundër çdo tentative të provokimin ose kërcënimit mbi baza kombëtare të shqiptarëve. Ai, po ashtu, njihet për angazhimin e tij të hershëm politik në LDK, brenda dhe jashtë vendit. Në këtë formë, Murtezi kishe ndihmuar organizimin politik qysh në kohët e hershme të paraluftës”, ka thënë kryetari Hyseni.
Në këtë ngjarje ka folur edhe Isa Agushi, bashkëveprimtar i të ndjerit në diasporë me dekada të tëra, duke e vlerësuar lartë veprën e tij në shërbim të atdheut, për humanizmin, patriotizmin e atdhedashurinë e tij.
Ndërkaq, në emër të familjes ka folur Bexhet Murtezi, i cili e ka falënderuar kryetarin Hyseni për organizimin e mbledhjes komemorative dhe të gjithë të pranishmit për nderimin që ia kanë bërë jetës dhe veprës së veprimtarit Mehmet Murtezi.