Është mbajtur mbledhje komemorative nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për të nderuar jetën dhe veprën e Isa Mulla Idrizit, djalit të Mulla Idriz Gjilanit.
Ai ishte veteran i arsimit, mësimdhënës i përkushtuar dhe autorë i gjashtë teksteve mësimore nga lënda e teknologjisë.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, tha se: sot jemi mbledhur këtu në këtë mbledhje komemorative për të nderuar jetën dhe veprën e një njeriu të urtë, me zemër të madhe dhe një trashëgimi të pasur shpirtërore, Isa Mulla Idrizin, djalin e të madhit Mulla Idriz Gjilani.
Ajo shtoi se Isa Mulla Idrizi, një veteran i arsimit, mësimdhënës i përkushtuar dhe që përcolli shumë gjenerata, autor i gjashtë teksteve mësimore nga lënda e teknologjisë. ishte një shembull i njeriut që e jetoi jetën me përulësi, me respekt për vlerat e familjes dhe të shoqërisë, duke trashëguar e përhapur frymën e drejtësisë, tolerancës dhe dashurisë për vendin.
Nënkryetarja e Gjilanit, tha se ai ishte një vazhdues i denjë i emrit të babait dhe të nënës së tij, i cili mbetet një monument i unitetit dhe frymëzimit kombëtar. 82 vite jetë janë një dhuratë e madhe, por njëkohësisht dhe një mundësi për të lënë pas një gjurmë të pashlyeshme. Isa e ka bërë këtë.
“Me fjalët, me veprat dhe me qëndrimet e tij, ai na kujtoi se amaneti i paraardhësve tanë nuk është thjesht një histori, por një udhërrëfyes për të sotmen dhe të ardhmen”, tha Morina Bunjaku.
Sipas saj derisa ndiejmë dhimbjen e humbjes, le të mos harrojmë jetën e tij.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, kërkoi që të mbajmë mend qetësinë dhe urtësinë e tij, përkushtimin ndaj familjes dhe komunitetit. Isa Mulla Idrizi nuk është më mes nesh fizikisht, por fryma dhe mësimet e tij mbeten gjithmonë të gjalla.
“Në emër të Komunës së Gjilanit dhe kryetarit Alban Hyseni, shpreh ngushëllimet më të thella për familjen dhe gjithë të afërmit. U prehtë në paqe dhe le të jetë kujtimi i tij një dritë e përjetshme në jetët tona”, tha Leonora Morina Bunjaku.
Kujtime dhe përvoja të ndryshme për të ndjerin kanë ndarë edhe Faik Shkodra, miku i të ndjerit, Nazmi Kçiku, sekretar i shkollës “Thimi Mitko” ku kishte punuar plotë 44 vjet dhe Ekrem Hoxha, dhëndrri i të ndjerit.