Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni i dorëzon titullin ‘Qytetare Nderi’ aktivistes dhe humanistes gjermane Barbara Langmack
Gjilan, 28 prill 2022 / Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, që është mbajtur nën drejtimin e kryesuesit Arianit Sadiku, i është dorëzuar titulli “Qytetare Nderi” aktivistes gjermane Barbara Langmack, e cila siç ka thënë në arsyetimin e tij në emër të grupit të veprimtarëve politikë të viteve të nëntëdhjeta, Ismajl Kurteshi, ka dhënë kontribut të madh për qytetarët e Gjilanit e të Kosovës, nga viti 1992 e këndej.
Alban Hyseni, kryetar i Komunës, tha se çmimi që ai ndan sot ka një domethënie të madhe dhe përçon një mesazh të rëndësishëm – atë të mirënjohjes dhe humanizmit për një zonjë të nderuar që vazhdimisht ka ndihmuar komunën dhe qytetarët anë.
Zonja Langmack nga një shtet mik yni, Gjermania, nga viti 2000 e deri më tani ka ndihmuar vazhdimisht me barna ambulancën e fshatit Kishnapole dhe fshatrave përreth.
Ajo ka ndihmuar Gjilanin edhe në fushën e arsimit dhe nuk janë të pakët kuadrot që ajo u ka financuar shkollimin.
Pra shëndeti dhe arsimi janë përkushtimet më të mëdha të saj, njëkohësisht sfidat më të mëdha për ne, dy fusha këto ku duhet të përqendrohemi edhe më shumë dhe t`i zhvillojmë edhe më tepër në të ardhmen, ka thënë kryetari Hyseni.
Pasi ka falënderuar këshilltarët komunalë për përkrahje unanime të këtij propozimi, kryetari Hyseni ka theksuar se zonja Langmack meriton edhe më shumë se kaq për humanizmin e saj.
‘Është shumë pak kjo që po bëjmë ne sot për të shprehur mirënjohjen tonë të thellë ndaj zonjës Langmack, në krahasim me kontributin e saj prej një humanisteje të madhe”, ka thënë kryetari Hyseni.
Barbara Langmack (1942) tha se ky është një nder i madh që po i bëhet asaj, duke shtuar se pjesë e kësaj mirënjohje janë edhe tre persona që e kanë ndihmuar shumë në këtë mision: burri i saj Johakim, i cili e ka mirëkuptuar dhe ndihmuar përherë financiarisht si dhe Ibrahimi e Ismajli, të cilët e kanë njoftuar me gjendjen këtu, e kanë mirëpritur në familjet e tyre dhe e kanë ndihmuar në terren.
‘Kosovarët kanë qenë për një kohë të gjatë dhe do të mbeten përgjithmonë pjesë e jetës sime’, ka thënë Langmack, në fjalën e saj falënderuese.
Njëherësh, në këtë seancë të Kuvendit është zgjedhur edhe nënkryetari i Komunës për Komunitete, Kadir Hysein i cili paraprakisht është zëvendësuar në asamble nga Emrah Ismail, përfaqësues i KDTP.
Propozimi është bërë nga kryetari i Komunës, Alban Hyseni, i cili i ka ftuar anëtarët e Kuvendit për mbështetje të këtij propozimi, gjë që edhe ka ndodhur.
Zgjedhja e tij është kundërshtuar nga përfaqësuesi serb në Kuvend, Sreten Trajkoviq (LS), i cili ka thënë se sipas ligjit për qeverisjen lokale, kjo pozitë i takon komunitetit që ka marrë më së shumti vota në zgjedhjet e fundit dhe kjo është Lista Serbe.
Trajkoviq votoi kundër, ndërkaq rikujtoi se për zgjedhjen e nënkryetarit për komunitete nevojitet votimi i dyfishtë.
Arianit Sadiku, kryesues i Kuvendit, pasi e konstatoi zgjedhjen e nënkryetarit për komunitete, tha se vendimi i Kuvendit do të dërgohet në MAPL për interpretim ligjor.
Kuvendi ka shqyrtuar edhe raportin financiar për periudhën janar-mars 2022, ka miratuar vendimin për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim të KEDS-it, në sipërfaqe prej 30 m² dhe në kohëzgjatje prej 40 vitesh, për vendosjen e trafostacionit për nevoja të stadiumit të qytetit si dhe shkollës së Arteve Pamore.
Kuvendi ka bërë plotësimin dhe ndryshimin e rregullores për kushtet, kriteret dhe procedurat e ndarjes së subvencioneve në bujqësi, që ua heq mundësinë e aplikimit personave që kanë procedura juridike-penale, ose nuk kanë shlyer detyrimet juridike-financiare në sektorin e pylltarisë, pastaj ka formuar komisionin për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave si dhe ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve në shumë prej 9761 euro për manifestimin tradicional ‘Ditët e Agimit’ që mbahet në Zhegër.
Ndërkaq, vendimi për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi si dhe vendimi për shpalljen e interesit të ligjshëm publik të një parcele prej 1.770m/2 në Malishevë, për nevoja të fshatit, janë shtyrë për seancat e radhës.
Ndërkohë, drejtorët komunalë, Selvete Sylejmani (DKA), Doruntinë Hasani (DAP), Mentor Mihovci (DSHP)dhe të tjerë janë përgjigjur në pyetjet dhe interesimet e ngritura nga këshilltarët komunalë, që kishin të bënin me arsimin, infrastrukturën si dhe çështje të tjera të interesit publik.