Gjilan

Kurteshi-Emini: Do t`i shqyrtojmë të gjitha modalitetet për t`i dalë në ndihmë rasteve të prekura nga pandemia

Gjilan, 28 dhjetor / Ashtu siç kishte premtuar në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini ka mbledhur sot në një takim konsultues shefat e grupimeve politike, të cilat përfaqësohen në vendimmarrje, ku kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli si dhe drejtoresha e Financave, Meral Sadriu-Vokshi, për të shikuar bashkërisht mundësitë buxhetore për ndihmë personave të prekur nga pandemia.

Në takim kanë marrë pjesë Avdyl Aliu (LDK). Riza Abdyli (PDK), Xhevat Demiri (AAK), Shemsedin Ramushi (AKR), Mimoza Kadriu (Nisma) dhe Ibish Ibishi (i pavarur), ndërsa ka munguar përfaqësuesi i LVV.

Drejtoresha Meral Sadriu Vokshi i ka dhënë njoftimet e nevojshme për ecuritë aktuale buxhetore dhe i ka sqaruar kufizimet që paraqitën në përmbyllje të një viti fiskal, pas 24 dhjetorit, pavarësisht qëllimit të mirë të Komunës për të ndarë një fond për ndihmë këtyre rasteve.

Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini ka thënë se angazhimi ynë do të jetë i vazhdueshëm, që së bashku me ekzekutivin të gjejmë modalitetet më të mira për t`iu dalë në ndihmë qytetarëve.

‘U dakorduam që kjo çështje të diskutohet në fillim të vitit të ardhshëm dhe të shikojmë mundësinë për një mbështetje financiare konkrete të rasteve të prekura me koronavirus’, ka thënë Kurteshi-Emini, pas takimit.

Ajo ka thënë se komuna e Gjilanit është dhe do të jetë gjithmonë e gatshme t`iu qëndrojë pranë dhe t`i ndihmojë familjet e prekura nga pandemia sikurse edhe në rastet tjera, kur kjo është e nevojshme.

You Might Also Like