Shkruan: Venera Kadriu
E kisha takuar para tre vitesh në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan dhe që nga atëherë jemi shoqe të pandara. Unë dhe Lorina Mehmeti kishim të njëjtat ëndrra, që një ditë të bëhemi dikush në lojën e volejbollit. Ditët po kalonin e ne nga dita në ditë po përparonim në lojën me rrjetë, u bëmë pjesë e ekipit të parë të KV Drita, me këtë klub u bëmë edhe kampione, fituese të kupës, veshëm petkun e përfaqësueses, shijuam lojët edhe në Ligën e Kampioneve, në CEV e ku jo tjetër, por mbi të gjitha unë dhe Lorina mbetëm shoqe të ngushta si në shkollë, njëjtë edhe në fushën e lojës. Njëra nga gjërat më të dobishme është ndarja e përvojës dhe momenteve më të mira me të. Gjëja që më ka bërë gjithmonë përshtypje tek mikja ime Lorina Mehmeti, ka qenë disiplina dhe sjellja e saj. Ajo ka qenë gjithmonë një lojtare e shkëlqyer dhe një ndihmë e madhe për ekipin tonë KV “Drita”, por mbi të gjitha ajo është një shoqe që gjithmonë më ka përkrahur dhe më ka mbështetur. Për të mund të shkruaj shumë, sepse kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe të shumtën e kohës e kalojmë së bashku, por mbi të gjitha mund të them se jam shumë me fat që kam takuar atë dhe shpresojë që shoqëria jonë të vazhdoj edhe me tej.