Gjilan

Lutfi Haziri viziton “Don Bosko”, dhe uron Kërshëndellat

Gjilan, 23 dhjetor 2017 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar edhe nga stafi I tij dhe këshilltarë komunal, gjatë ditës ka vizituar Qendrën dhe Kolegjin “Don Bosko”, të cilëve përpos urimit për punë dhe angazhim në edukim, në emër të institucioneve të qeverisjes lokale, i ka uruar të gjithë qytetarët e besimit katolik festat e Kërshëndellave.

“Jam sot këtu që të vizitojmë nën shoqërimin e Don Domik Qerimit, qendrën kulturore dhe Kolegjin “Don Bosko”, për të përcjellur punën që bëhet këtu dhe angazhimin me nxënës të shumtë. Me rastin e festës së Kërshëndellave, uroj të gjithë besimtarët katolikë në emër të institucioneve të Komunës së Gjilanit, që këtë festë ta kaloni me gëzime, harmoni e lumturi në familjet tuaja, duke festuar me bereqetin që ka dhënë Zoti për njeriun në përgjithësi”.

“Gjilani njihet si Komunë në nivel të gjithë Kosovës dhe më gjerë, që diversitetin e konsideron si vlerë për tolerancë ndërfetare dhe ndëretnike, andaj kjo festë është urim i të gjithëve për qytetarët e besimit katolik, sepse që të gjithë bashkërisht kemi dhënë kontribut në ditët më të vështira. Me këtë rast, i kujtoj dhe përkulem për sakrificën e madhe të martirëve të Karadakut që rezistuan dhe u sakrifikuan për dashurinë ndaj Zotit dhe Atdheut. Për shumë mot Krishtlindjet!”, ka thënë kryetari Haziri.

 

You Might Also Like