Pjesa e parë e finales së Kupës së Kosovës në Futboll ndërmjet Gjilanit e Prishtinës është mbyllur me rezultat të barabartë 0:0. Ka qenë kjo një pjesë me pak raste e me shumë gabime në pasime, kurse portierët patën shumë pak punë, ngase asnjëherë nuk u sfiduan. Nga kjo pjesë ajo që duhet veçuar është minuta 7, kur pas një harkimi nga e majta, Dabiqaj gjuajti me kokë, por drejt në portierin e Prishtinës Kolaj. Dabiqaj ka rrezikuar me kokë edhe në minutën 23, por gjuajtja e tij shkoi jashtë portës. Mevlan Zeka pati rast shumë të mirë në minutën 28, por gjuajtja e tij u bllokua nga Ramiz Bytyqi. Prishtina pati rast të mirë me Leotrim Kryeziut, por gjuajtja e tij shkoi mbi portë.
Në mbyllje të pjesës së parë, gjyqtari Kastrati dha tre minuta shtesë, ngase “Plisat” kishin hedhur fishekzjarrë në fushë.