Gjilani, që me mish e shpirt po lufton për t’i ikur barazhit, ka hyrë në kryendeshje me Dritën për t’i fituar tri pikë e Drita, që dëshironte të dalë së paku në pozitën e dytë kishte po të njëjtin synim, andaj me të drejtë ishte pritur një ndeshje tejet intersante në mes të dy rivalëve nga i njëjti qytet.
Goditja e parë në drejtim të portës ishte nga Besnik Krasniqi, por topi i qëlluar nga ai shkoi mbi portë.
Pas një sulmi të dështuar të Dritës në minutën 12, Gjilani organizoi një kundërsulm të shpejtë me Taipin, i cili shërbeu Shabanin e ky kur u fut në brendi gjeti Kqikun, i cili me një gjuajtje të fortë shënoi për 1:0.
Në minutën 19 Ajzeraj tentoi nga largësia, por topi shkoi mbi portën e Bllacës. Drita ka rrezikuar edhe në minutën 24, kur pas një harkimi nga gjuajtja e këndit, Ovouka topin me kokë e dërgoi deri te Martinez, i cili gjuajti me kokë, por topi për pak shkoi mbi tërthorëse. Sërish ka rrezikuar Drita në minutën 28, kur Ajzeraj shpërtheu nga e majta, harkoi në brendi e aty Huruglica gjuajti me kokë, por topi për pak shkoi jashtë shtyllës së djathtë të Bllacës.
Në minutën 30, pas një harkimi nga këndi, mbrojtja e Gjilanit nuk u kuptua dhe i mundësoi kolumbianit Hernandez një mundësi shumë të mirë, por ai nga afërsia gjuajti jashtë portës.
Kur nuk shënon dënohesh dhe kjo u vërejt edhe në këtë ndeshje, ngase në minutën 33, pas një harkimi nga e djathta të Edi Bashkës, gjermano-boshnjaku Jaroviq me kokë e futi topin në rrjetë, ngase më së larti u shkëput me kokë. Situata është shikuar nga sistemi VAR dhe goli është anuluar pasi më herët Shabani ishte në pozitë jashtë loje dhe rezultati mbeti 1:0.
Në minutën 38, për Gjilanin ka rrezikuar Taipi, që gjuajti nga largësia, por portieri Maloku ishte në vend. Në minutën 44, pas një kundërsulmi të shpejtë rast të mirë pati Blerim Krasniqi, por ai qëlloi vetëm rrjetën e jashtme të portës.
Pjesa e parë u mbyll me rezultat 1:0 për Gjilanin. /kryelajmi.com/.