Sot më 7 Mars 2022, në ditën e mësuesit, drejtori i Shkollës së Mesme të Ultë “Agim Ramadani” në Zhegër, Rrahman Agushi, ka nderuar me mirënjohje mësimdhënësit shumëvjeçar të matematikës në këtë shkollë, Musli Ukshini, i cili muaj më parë ndërroi jetë.
Në emër të familjes Ukshini, mirënjohjen e ka pranuar i biri i Musli Ukshinit, Irfani.
Kjo mirënjohje është e nderon jetën dhe veprën edukative e arsimore të mësimdhënësit të urtë, punëtorë e arsimdashës, Musli Ukshini.
Irfan Ukshini, i biri i arsimtarit Musli e ka falënderuar përzemërsisht drejtorinë e shkollës fillore “Agim Ramadani” dhe personelin arsimor në Zhegër për ndarjen e mirënjohjes për prindin e tij – post mortum.
“Babai im ishte një njeri i përkushtuar në arsimimin e gjeneratave në lëndën e matematikës, një atdhetar dhe dashamirës i edukimit të gjeneratave, siç e ka njohur edhe rajoni i Zhegrës me rrethinë. Ai ndrroi jetë nga një sëmundje e rëndë vitin e kaluar, më 19 Qershor 2021.
Kjo mirënjohje nderon familjen, jetën dhe veprën e babait tim Musli Ukshinit, andaj ju falënderoj përzemërsisht”, ka thënë Irfan Ukshini.
Të rikujtojmë se Musli Ukshini, ishte i biri i Miradije e Ukshin Ukshini të vrarë në mënyrën më mizore në luftën e fundit në Kosovë në masakrën e Zhegrës, kurse ishte Irfan Ukshini, i cili në kujtim të gjyshërve të tij dhe të të gjithë shqiptarëve të rënë në luftë, kishte botuar librin “Një tragjedi shqiptare – kronikë historike” që është një dëshmi për fatin e një kombi.






