Gjilan

Miratohet raporti financiar janar-shtator 2016

Kuvendi Komunal i Gjilanit, të enjten, në seancën e radhës, të drejtuar nga kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka miratuar raportin financiar janar-shtator 2016, kërkesën për rishqyrtimin e dy vendimeve, sipas sugjerimeve të MAPL – vendimi për qasjen e hartimit të Planit Rregullues të Hollësishëm “Qendra 1” dhe vendimin për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal, pastaj vendimin Planit Rregullues të Hollësishëm “Fidanishte 2” si dhe raportin mbi dezinsektimin hapësinor dhe dezinfektimin e shkollave fillore, të mesme, çerdheve dhe institucioneve arsimore.

Raportin financiar për periudhën 9-mujore të këtij viti e ka prezantuar Zijadin Maliqi, drejtor për Buxhet, i cili ka thënë se të hyrat komunale janë realizuar afër 88 për qind në krahasim me planin vjetor, ndërkaq në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, janë më të mëdha për rreth 31 për qind.

Tatimi në pronë, që është një nga të hyrat kryesore vetanake, është tejkaluar për 12 për qind në krahasim me planin vjetor, derisa në krahasim me 9-mujorin e vitit të kaluar, është i lartë për 67 për qind.

Sa i përket shpenzimeve, Maliqi ka thënë se në këtë periudhë është shpenzuar 70 për qind e buxhetit vjetor.

Raporti financiar, kryesisht është vlerësuar me nota pozitive nga grupimet politike në Kuvend, të cilat e kanë mirëpritur rritjen e të hyrave komunale. Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se raporti është një pasqyrim real i ecurive buxhetore në komunë. Edhe Selami Xhemajli (AAK) i dha mbështetje raportit, duke nënvizuar si element inkurajues trendin e rritjes së të hyrave vetanake dhe uljen e shpenzimeve.

Riad Rashiti (PDK) tha se në këtë periudhë ka zhvillime pozitive tek të hyrat, por sipas tij, kjo drejtori duhet të angazhohet që të arkëtojë edhe më shumë mjete, sidomos nga lejet ndërtimore, duke e ditur që ritmi i ndërtimeve është mjaft i lartë. Sa u përket investimeve, Rashiti ka thënë se nuk janë të kënaqshme, ndërkohë që shpenzimet për mallra dhe shërbime janë rritur, ka thënë ai.

Rashiti ka kërkuar rritje të kontrollit te tatimi në pronë sa i përket lëshimit të vërtetimit për

regjistrim të automjeteve, ku sipas tij, ka devijime.

Krenare Latifi (VV) tha se te disa kategori buxhetore, ka pasur ngecje në realizimin e të hyrave të planifikuara, duke përmendur si shembull Administratën e Përgjithshme, por edhe në disa sektorë të tjerë.

Nevzad Isufi (VV) e ka ngritur çështjen e pagesës së punëtorëve me kontrata në vepër, duke kërkuar përgjigje se nga cili kod buxhetor kompensohen ata.

Duke iu dhënë përgjigje interesimeve të anëtarëve të Kuvendit, Zijadin Maliqi ka thënë se ky është viti më i suksesshëm në këta 16 vjet sa i përket realizmit të të hyrave vetanake, ndërkaq në lidhje me shqetësimin e Rashitit për disa lëshime te sektori i tatimit në pronë, ai ka thënë se jemi duke bërë përpjekje maksimale që gjithçka ta kemi nën kontroll.

Kurse sa i përket të hyrave te Drejtoria e Administratës, që janë më të vogla se planifikimi, Maliqi ka sqaruar se kjo varet nga kërkesat e qytetarëve për dokumente të gjendjes civile. Ai ka dhënë përgjigje edhe për punësimet me kontrata në vepër, duke thënë se numri i tyre është ulur në 37 raste nga 112 sa kanë qenë më herët dhe po shkohet nga ajo që prej vitit të ardhshëm të mos ketë asnjë rast.

Anëtarët e Kuvendit, pozitë dhe opozitë, janë dakorduar që raporti i kryetarit të Komunës, të shtyhet për njërën nga seancat tjera, meqë siç ka sqaruar kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, ai nuk ka mundur të jetë i pranishëm në seancë, për shkak agjendës që ka pasur.

Sa i përket sugjerimit të MAPL-së për rishqyrtimin e dy vendimeve për planet rregulluese, përkatësisht hapësinore, Valon Shefkiu, drejtor për Urbanizëm, ka sqaruar se vërejtja e vetme është te emërimi “revidim” i planit, ndërsa sipas ligjit të ri, duhet të jetë “hartim” i panit.

Kuvendi e ka miratuar edhe vendimin për PRRU ‘Fidanishte’, për të cilin, Shefkiu ka thënë se i ka kaluar të gjitha procedurat e nevojshme, përfshirë edhe debatet dhe dëgjimin publik. Profilin e kësaj lagje, e ka prezantuar Ismajl Baftijari nga kompania hartuese “INSI”. Ai ka thënë se kjo zonë përfshin një sipërfaqe prej 107 hektarësh.

Sipas tij, ka pasur vërejtje nga qytetarët, bizneset dhe grupet e interesit, në lidhje me katësinë, shtyllat e tensionit të lartë e zgjidhje të tjera dhe të gjitha janë analizuar dhe kanë marrë përgjigje. Baftijari ka thënë se qytetarët kanë qenë të përfshirë në proces maksimalisht.

Shqetësimi më i madh që kanë ngritur këshilltarët komunalë, Nevzad Rushiti (LDK), Nevzad Isufi (VV), Ismet Hajdini (AKR), Bajram Hasani (këshilltar i pavarur), Leonora Bunjakurt (PDK), Shukrije Rapuca (PDK), kanë qenë për shtyllat e tensionit të lartë që kalojnë nëpër “Fidanishte 2” dhe pengojnë zhvillimin e një segmenti të kësaj zone, etazhitetin e ultë që nuk shkon më tepër se P+6, shpronësimet dhe infrastruktura, që kërkojnë mjete të konsiderueshme për zbatimin e planit, konsultat me pronarë, shpronësimet dhe të tjera.

Baftijari ka thënë se jemi munduar të bëjmë zgjidhjen sa më cilësore të mundshme. Ne e kemi dhënë propozimin tonë edhe për largpërçues, që duhet të futen nën tokë, kurse sa i përket etazhitetit, jemi bazuar te gjendja ekzistuese e zonës si dhe zonat përreth saj.

Mjaft interesim ka nxitur edhe raporti mbi dezinsektimin dhe dezinfektimin, të cilin e ka paraqitur Nexhat Hajrullahu, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Projekti dezinsektimit është kryer në tri faza, sikurse është bërë me kohë edhe dezinfektimi i institucioneve arsimore, ndërkaq për derratizim, sivjet nuk ka pasur kërkesa nga qytetarët, ka thënë ai. Në të ardhmen, shpresojmë t`i përfshijmë edhe disa zona rurale, ka thënë Hajrullahu.

Jashar Jashari (LDK), kryesues i Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se dezinsektimi është bërë me kohë, në një sipërfaqe urbane prej 1000 hektarësh, përfshirë edhe zonat përreth shtretërve të lumenjve.

Isa Agushi (LDK), Riad Rashiti (PDK), Ibish Ibishi (AAK), Nevzad Isufi (VV) dhe të tjerë kanë sugjeruar që në projektin e dezinskemit të përfshihen edhe fshatrat, sidomos ato përgjatë rrjedhës së lumit, Malisheva, Uglari e Pogragja, sepse pa të drejtë i vuajnë pasojat e ndotjes që ujit që ndodh në qytet. Ibishi ka thënë se vitin tjetër nuk duhet të harrohet dezinfektimi edhe i objekteve të banimit kolektiv, sepse ka pasur ankesa nga banorët për shfaqjen e insekteve.

Fatbardha Selmani (PDK) ka pasur vërejtje për faktin se raportit i mungon kostoja financiare. Vërejtje për kosoton e lartë të projektit ka pasur edhe Riad Rashiti (PDK).

Nexhat Hajrullahu ka thënë se nuk kanë pasur kërkesë nga qytetarët për dezinfektim në objektet e banimit kolektiv, sepse do ta kishin bërë, kurse sa iu përket fshatrave, ai e ka lënë të hapur mundësinë e rishikimit ët mundësive në të ardhmen.

Në pjesën jashtë rendit të ditës, pyetje për drejtorët komunalë kanë parashtruar Sahit Abazi (PDK), Arben Maliqi (LDK), Leonora Bunjaku (PDK), Riad Rashiti (PDK), Nevzad Isufi (VV), Bajram Hasani (KP) dhe të tjerë dhe kanë marrë përgjigje, në fund të seancës, nga drejtorët Naser Korça (DSHP), Valon Shefkiu (DUM) dhe Shqipe Kastrati (DKA).

Sahit Abazi (PDK) ka kërkuar rishikim të vendimit për zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza përmes kredisë, sepse bëhet fjalë për një shumë të pa përballueshme për komunën e Gjilanit, ka thënë ai.

Kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se kjo pikë është miratuar nga Kuvendi në seancën e jashtëzakonshme, ku është nxjerrë për votim edhe propozimi i opozitës për t`i kërkuar qeverisë që ta marrë përsipër obligimin, por nuk ka kaluar dhe kjo konsiderohet çështje e përfunduar në aspektin procedural.

You Might Also Like