Muhamet Halili, gazetar dhe prozator gjilanas, sot ka dhuruar disa ekzemplarë të librit të tij më të fundit poetik “Kasaforta erotike” duke kontribuar kështu në pasurimin e bibliotekës së shkollës sonë”, thuhet në njoftimin e ShMAP “Adem Kastrati”, Gjilan.
Ai është pritur sot nga drejtori i Shkollës, Roland Masurica dhe profesor Agim Kajtazi, përgjegjës për bibliotekën e shkollës.
Ky i fundit, pasi e ka uruar Muhametin për librin e tij më të fundit, e ka falënderuar gjithashtu për dhurimin e librave.
“Realisht biblioteka e jonë, fondin më të madh të librave e ka donacion të njerëzve të vullnetit të mirë, si ky i yti Muhamet, dhe që njëkohësisht janë edhe dashamirës të librit. Në këtë kohë, të dhurosh një mundësi leximi më shumë, konsideroj se është një dhuratë e çmuar për secilin nxënës apo dhe staf tjetër të shkollës”, ka thënë Agim Kajtazi.
Ndërsa, Muhamet Halili, autor i librit, ka thënë së në vazhdimësi ka vlerësuar punën, kreativitetin e nxënësve të shkollës së artit pamor “Adem Kastrati” në të gjitha aktivitet që ka ndjekur.
“Kjo ka qenë edhe një arsye shtesë që ta vizitoj këtë shkollë, edhe të dhurojë disa libra, edhe të tregoj dëshirë dhe vullnet që, pikërisht nxënësit e kësaj shkolle të jenë pjesë e ceremonisë promovuese të librit, e cila pritet të mbahet gjatë muajit maj”, ka thënë ai.
Para kësaj përmbledhje poetike “Kasaforta erotike”, Muhamet Halili ka botuar dhe librat me tregime “Fundi i heshtjes”, “Djersa e gurit” dhe “Një emër nga letërnjoftimi”, të cilat janë pjesë e fondit të bibliotekës së shkollës.
Kujtojmë se Asociacioni alternativ i shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubi “Beqir Musliu”, me seli në Gjilan, pas shqyrtimit të veprave letrare të botuara gjatë vitit 2022 nga anëtarët e saj, librin “Një emër nga letërnjoftimi” e kishte shpallur, “Vepër më të mirë të vitit 2022”, në fushën e prozës.
Ai i ka të gatshme për botim edhe dy dorëshkrime të tjera në prozë.