Futboll

Muharrem Sahiti rizgjidhet kryetar i Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit

9 dhjetor, 2023 – Në Kuvendin e Rregullt të Punës dhe atë Zgjedhor të mbajtur të shtunën në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, Muharrem Sahiti është rizgjedhur kryetar i Shoqatës së Trajnerëve të Futbollit për mandat të ri katërvjeçar. Me një prezencë prej 23 delegatëve nga gjithsej 26 sa numëron kjo shoqatë, Kuvendi me vota unanime ka zgjedhur kryetarin dhe anëtarët e bordit.
Fillimisht, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i ka përshëndetur punimet e këtij kuvendi dhe i ka përgëzuar trajnerët për kontributin e tyre në zhvillimin e futbollit në Kosovë. “Jeni ju si trajnerë që me përvojën e madhe dhe punën tuaj profesionale nga grupmoshat më të reja e deri te ekipet senior keni bërë që futbolli ynë të ketë ngritje të cilësisë dhe zhvillim të talenteve. Ju përgëzoj edhe për punën e mirë si Shoqatë dhe ju inkurajoj të vazhdoni të punoni bashkërisht për rritjen e mëtejme të futbollit tonë, në mënyrë që brezave të ardhshëm t’u mundësojmë të kenë suksese edhe më të mëdha”, ka thënë i pari i FFK-së para të pranishmëve.
Në Kuvendin e Punës, kryetari i Shoqatës së Trajnerëve, Muharrem Sahiti ka raportuar para delegatëve për aktivitetet e Bordit të Shoqatës si dhe për raportin financiar, e të cilat u miratuan njëzëri nga delegatët. Më pas u kalua në Kuvendin Zgjedhor, ku me vota unanime Muharrem Sahiti është rizgjedhur për një mandat të ri katërvjeçar në krye të shoqatës. Ai ka falënderuar Bordin dhe shoqatat e regjioneve për mbështetjen dhe ka shprehur detyrimin për të vazhduar punën në të mirë të futbollit.
“Me insistimin e Bordit dhe me përkrahjen e shoqatave të regjioneve e ndjeva obligim për ta vazhduar edhe një mandat në krye të Shoqatës. Jam i lumtur për mbështetjen unanime dhe që jam në krye të Bordit të Shoqatës, e cila në radhët e veta ka ish-futbollistë dhe trajnerë të mirënjohur. Po ashtu, jemi të nderuar që në mesin tonë e kemi Ajet Shoshollin si kryetar nderi dhe këshilltar profesional. Bashkërisht do të vazhdojmë të punojmë në dobi të futbollit dhe avancimit të trajnerëve në vendin tonë”, është shprehur Sahiti.
Gjithashtu, me vota unanime janë zgjedhur edhe anëtarët e Bordit të Shoqatës, pasi paraprakisht janë deleguar nga shtatë regjionet e futbollit. Anëtarë të zgjedhur të Bordit janë Rafet Prekazi, Ramadan Cimili, Genc Hoxha, Valdet Shoshi, Rexhep Murseli, Agim Hasani, Ismajl Berisha, Sanije Krasniqi (për futbollin e femrave) dhe Safet Nurkoviq (për përfaqësimin e minoriteteve). Emrat e dy anëtarëve të tjerë të Bordit, të cilët janë e drejtë ekskluzive e kryetarit të shoqatës do të përcaktohen në mbledhjen konstituive, ku gjithashtu do të zgjidhet sekretari dhe organet tjera të shoqatës.

You Might Also Like