Arbër Musliu, këshilltar komunal
Në seancën e IV dhe V të Kuvendit Komunal, që u mbajtën në fillim të këtij muaji, u diskutua një çështje e vonuar nga marsi i këtij viti – bartjet buxhetore prej 2.5 milionë eurosh. Votimi i këtyre bartjeve u pengua qëllimisht nga opozita, e cila që nga muaji mars ka zvarritur procesin për interesa të veta politike.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, u përpoq të gjejë mirëkuptim me grupet opozitare, të cilët fillimisht ishin dakord nga tetori i vitit të kaluar për të votuar, por në fund ndryshuan qëndrimin e tyre, duke dëshmuar se për ta mbizotëron interesi politik mbi atë publik.
Për shkak të vonesës së shkaktuar nga mosvotimi, Kryetari Hyseni u detyrua të ri-destinojë këto fonde, pasi jemi në muajin shtator dhe koha për planifikime të reja është e kufizuar.
Kundërshtimi i opozitës përfshinte projekte të rëndësishme si pagat e punëtorëve të tregut dhe atyre që u kthyen me vendim gjyqësor, subvencionet për kulturën, rininë dhe sportin, planifikimin dhe zgjidhjen e problemit të qenëve endacakë, mbështetjen për nxënësit në fusha të ndryshme dhe shëndetësinë,subvencionimin e fermerëve, si dhe projektin për Kodrën e Dëshmorëve.