Gjendja e rëndë ekonomike dhe papunësia, janë indikatorët kryesor që po ndikojnë në shtimin e familjeve që kërkojnë asistencë sociale, respektivisht ndihma për të siguruar gjërat më elementare për të mbajtur familjet. Sikur në gjithë Kosovën, edhe në komunën e Vitisë, ditë e më tepër po rritet shkalla e varfërisë. Mbi gjendjen e varfërisë në komunën e Vitisë, Halit Alidema, koordinator rajonal në Shoqatën Humanitare Bamirëse “ Nëna Terezë” dega në Viti, ka bërë të ditur se numri i rasteve që kërkojnë ndihmë në shoqatë, është mjaft i madh, por në pamundësi të ndihmës për të gjithë, aktualisht nga kjo shoqatë po ndihmohen 357 familje. Ndërsa Demush Mehmeti drejtor pran Qendrës Sociale në Viti, ka njoftuar se nën asistencën sociale aktualisht janë rreth 600 familje, të cilat ndihmohen në bazë të kritereve që ato i kanë plotësuar për ndihmë, por që sipas tij, ky numër nuk është i njëjtë pasi që ka lëvizje. Ndërkaq, Fondacioni Kosovë-Luksemburg kohëve të fundit po bënë përpjekje për zbutjen e gjendjes së varfërisë, duke ndihmuar shumë familje në krijimin e vendeve të punës dhe punësimin e sidomos të gjinisë femërore. Ndërkaq në anën tjetër, Remzi Jonuzi zyrtar në Qendrën e Bizneseve në Viti, ka njoftuar se vetëm këtë vit janë shuar 27 biznese të regjistruara më parë.