ARSIMI

Në dhjetëvjetorin e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” u dha program i pasur kulturor e artistik

 

Në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në mënyrë solemne është shënuar përvjetori i dhjetë i kësaj vatre të diturisë, ngjarje në të cilën është shfaqur një program i pasur kulturor e artistik.

Fillimisht nën udhëheqjen e dirigjentit Qazim Kryeziu, Kori i Shkollës ka intonuar Himnin Kombëtar dhe atë të Kosovës.

Për një histori të shkurttër dhe fjalën e urimit e ka marrë Bekim Mustafa, drejtorii Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, i cili ndër të tjera ka theksuar se është përvjetori i dhjetë i Gjimnazit tonë, që me nder mban emrin e Xhavit Ahmetit. Është jubileu i parë i Gjimnazit tonë dhe retrospektiva na flet me fanatizëm për suksese të vazhdueshme në mësimdhënie e mësimnxënie; për suksese të jashtëzakonshme të nxënësve tanë, tashmë të shpërndarë në të katër anët e botës si profesionistë fushash e dijesh të ndryshme, prandaj duhet të ndjehemi të lumtur e krenar për veten e punën tonë, dhe sigurisht për sukseset e nxënësve tanë. Suksese të panumërta këto dhjetë vite shkolla jonë ka shënuar në gara të dijes në lëndë të ndryshme, duke përfaqësuar edhe shtetin tonë; suksese të jashtëzakonshme në disiplina të ndryshme sportive; në bashkëpunim me OJQ vendore e ndërkombëtare dhe institucione lokale, shtetërore e ndërkombëtare. Kemi pritur e kemi bashkëpunuar suksesshëm me të gjitha këto institucione duke dëshmuar dije, përkushtim e përgjegjësi të lartë.

Dua që sot, në këtë jubile, të shpreh mirënjohjen e falënderimin mësimdhënësve për përkushtimin, vullnetin e dashurinë. Mirënjohje e veçantë për mësimdhënësit që bashkë me nxënësit i sollën shkollës sonë gjithë ato suksese.

Mirënjohje e falënderim i veçantë nxënësve kampionë të shkollës tonë që kurdo e kudo na bënë krenar!

Sigurisht, kishim edhe sfida të shumta, që i tejkaluam me bashkëpunim e mirëkuptim mes nesh e me institucionet tona drejtuese arsimore e politike.

Dua t’ ju falënderoj të gjithëve për punën e mirë, mirëkuptimin e bashkëpunimin. Dua t’ju inkurajoj që të vazhdojmë edhe më mirë e edhe me më shumë përkushtim. Ne mundemi edhe më mirë.

Blinera Shabani, kryetare e shkollës e njëherit edhe udhëheqëse e programit, ka paraqitur një monolog, duke thënë se sot festojmë përpjekjet dhe sukseset tona të përbashkëta si dhe angazhimin që kemi për një të ardhme më të ndritur. Ajo ka thënë se puna e jonë e përbashkët, mbështetja nga prindërit dhe përkushtimi i stafit mësimor na kanë mundësuar që çdo ditë të bëhemi më të fortë si komunitet. Ne të gjithë jemi pjesë e një vizioni më të madh, që përqafon edukimin si mjet për të ndryshuar jetët tona dhe shoqërinë tonë.

Në pjesën artistike nxënëset Zana Kqiku dhe Melda Kqiku janë paraqitur me këngën “Mora fjalë”.

Nxënësja Arbnora Xhyrishevci është paraqitur me veprën artistike “Poemë Kosovare”.

Nxënësja Suela Jashari ka recituar poezinë “Testamenti”, kurse nxënësja Lina Bislimi ka recituar poezinë “Rrugës për liri”.

Në pjesën muzikore Ledion Azizi ka kënduar këngën “Hej ju male”, kurse nxënësja Lisiana Kryeziu këngën “Këngë moj”.

Në fund të programit kulturor e artistic janë paraqitur këngëtarët Zana Kqiku, Morea Rexhepi, Ela Kamberi, Lisiana Kryeziu dhe Ledion Azizi me këngën “Xhamadani vija-vija”.

You Might Also Like