Në Gjilan është organizuar festa tradicionale e falënderimeve “Darka e Lamës”
Gjilan, 21 dhjetor 2022 – Drejtoria e Bujqësisë në Gjilan ka organizuar festën tradicionale të falënderimeve “Darka e Lamës”.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se kjo festë i bashkon të gjithë, pa dallime, derisa ka uruar që prodhimet vendore të vazhdojnë të blihen nga qytetarët.
“Këto festa tradicionale që i kemi si komb, do të ishte me mirë që të ruhen edhe në të ardhmen. Ne jemi mbledhur këtu, pa dallime politike apo të tjera, në festë që bashkon kombin e popullin me qëllim që ta ruajmë traditën dhe ta vazhdojmë atë më tutje. Është shumë e rëndësishme që t’i çmojmë produktet që i kemi në tryezat tona, sidomos ato që vijnë prej tokave të komunës e vendit tonë”, ka thënë kryetari Hyseni.
“Është shumë me rëndësi që të vazhdojmë t’i ndihmojmë fermerët dhe prodhuesit. Kjo ditë na bashkon të gjithëve, pa dallime mes nesh. Uroj që këto produkte që i kemi këtu, t’i blejmë edhe në markete”, ka nënvizuar kryetari i Gjilanit.
Drejtori i Bujqësisë, Bajram Isufi, ka falënderuar fermerët, prodhuesit dhe përpunuesit të cilët kanë ndihmuar edhe kësaj radhe me prodhimet e tyre, duke shtuar se si Drejtori kanë subvencionuar fermerët me të gjitha kapacitetet komunale.