Gjilan, 26 dhjetor 2019 – Në vigjilje të nërrimit të motmoteve, Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me donatorin, bankën NLB, në bashkëpunim me kompaninë Buqaj, ka inauguruar të enjten shtëpinë e re për familjen e Remzi Hajrullahut.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, tha se ndjehet shumë i lumtur që kjo familje u bë me kulm mbi kokë, derisa e ka falënderuar bankën NLB dhe komapaninë Buqaj për solidaritetin e treguar.
“Kjo është shtëpia numër 132 në total dhe e 25-të për këtë vit, që po e inaugurojmë sot, pas aksionit të kryetarit Lutfi Haziri, i cili qysh prej vitit 2014, organizoi disa gala mbrëmje në mbështetje të familjeve me probleme të banimit. Urime dhe e lus Zotin që ta gëzojë familja Hajrullahu. Apeloj njerëzit e vullnetit të mirë që të vazhdojnë të jenë solidar në mënyrë që të përfundojnë njëherë e përgjithmonë vuajtjet e këtyre familjeve”, ka thënë Ismajli.
Ai ka njoftuar se përpos ndërtimit të 132 shtëpive, Komuna i ka renovuar 40 shtëpi të tjera, ndërkaq për 40 familje ka paguar qira.
Drejtori i bankës NLB, Alber Lumezi, ka deklaruar se është krenar që kanë kontribuar për këtë rast.
“Sivjet e kemi zgjedhur familjen e Remzi Hajrullahut që të kontribuojmë në përmirësimin e kushteve të jetesës. Kjo iniciativë është mundësuar falë bashkëpunimit me partnerët tanë, kompaninë Buqaj si dhe Komunën e Gjilanit. Shpresojmë që familja Hajrullahu ta përjetojë festën e Vitit të Ri me një gëzim të madh. Jemi krenarë që kemi kontribuar në këtë rast”, ka thënë Lumezi.
Ndryshe, Komuna e Gjilanit e ka dhënë truallin për këtë familje.