Gjilan

Në Gjilan nënshkruhet memorandumi i mirëkuptimit 2024-2026 për përkrahjen strehimoreve të viktimave/të mbijetuarave të dhunës në familje

Gjilan, 13 dhjetor 2023 – Nën lehtësimin e OSBE-së, në Gjilan është bërë të mërkurën ceremonia e nënshkrimit të memorandumeve të mirëkuptimit 2024-2026, ndërmjet komunave dhe strehimoreve për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje në Gjilan dhe Ferizaj, me qëllim për të ofruar mbështetje financiare për strehimoret dhe për të mbështetur punën e tyre.

Në këtë ngjarje, në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka marrë pjesë dhe e ka nënshkruar këtë memorandum nënkryetarja Leonora Morina – Bunjaku, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qarolli, Avokati i popullit, Naim Qelaj, kryetarë e përfaqësues të komunave të Vitisë, Kamenicës, Kaçanikut, Hanit të Elezit, Ferizajt, Shtimes, sikurse edhe përfaqësues të strehimores “Liria” në Gjilan dhe “Shtëpia ime” në Ferizaj.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, ka përgëzuar kryetarët e këtyre komunave për gatishmërinë për t’i nënshkruar këto memorandume, duke thënë se fal përkushtimit dhe zotimit të tyre për përkrahje financiare të qëndrueshme për strehimoren për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve, shtrehimorja ka ofruar strehim dhe shërbime për viktimat/të mbijetuarat e dhunës në familje dhe fëmijët e tyre.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qarolli, ka shprehur mirënjohjen dhe përgëzimin për kryetarët e komunave për t’i nënshkruar këto memorandume, ndërkaq ka theksuar se kjo ministri në vitin 2023 ka mbështetur dhjetë strehimore në vlerë prej 900 mijë euro.

“Kjo nënkupton që për dallim për viteve paraprake, shuma e subvencionuar dhe ndihma e gjithëmbarshme për strehimoret anë e kënd Kosovës është 150 për qind më e madhe”, tha ai.

Ndërkaq, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, ka falënderuar misionin e OSBE-së për lehtësimin e procesit të nënshkrimit të këtëre memorandumeve, theksoi se ky aktivitet ka bashkuar të gjithë akterët institucionalë dhe organizatat e shoqërisë civile.

“Më duhet ta theksojë se Komuna e Gjilanit ka bërë hapa të mëdhenj sa i përket përkrahjes ndaj grave e në veçanti nënave vetëushqyese, të cilave u ka mundësua çerdhen falas, pagesën e qirasë dhe së fundi subvencionimin nga drejtoritë e ndryshme, ku kemi gra ndërmarrëse përfituese të shumë subvencioneve”, ka theksuar nënrkryetarja Morina Bunjaku.

You Might Also Like