Teatër

Në Preshevë u dha premiera e shfaqjes “Vdekja e hijshme”

Në Sallën e Teatrit në Preshevë është dhënë premiera e shfaqjes “Vdekja e hijshme” me autor Mexhid Mehmetin e në regji të Kastriot Saqipit, shfaqje në të cilën kanë luajtur një grup i madh i aktorëve nga Presheva, Gjilani, Prishtina e qytete të tjera të Kosovës e më gjerë.

Në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, si asnjëherë më parë salla e teatrit ishte e mbushur përplot me artdashës, shumë nga të cilët shfaqjen e përcollën në këmbë.

Kjo shfaqje është realizuar sipas motiveve të këngës “Hasan Aga dhe vajza potureshë” e të cilën me mjeshtri e ka dramatizuar skenaristi Mexhid Mehmeti, derisa ajo nga regjisori Kastriot Saqipi është realizuar asisoj që në nismë publikut i bëhet me dije se ngjarja mund të ketë ndodhur në rrethin e Preshevës, në fshatin Zhunicë, derisa ngjarja tashmë për publikun është e njohur, ka të bëjë me një storie dashurie në mes të dy të rinjëve, të shtresave të ndryshme shoqërore, të Hasan agës që vije nga një familje e kamur dhe të vajzës potureshë, të cilët në vegjëli i kishin dhënë besën njëri-tjetrit se nuk do t’i ndajë as vdekja. Shfaqja ka një çasje regjisoriale të ndërtuar asisoj që fillon me dramë, vazhdon me situata komedie, por që fundi i përket tragjedisë, ngase në fund të shfaqjes personazhet kryesore bëjnë vetëvrasje. Trupa artistike si është më së miri është mishëruar me rolet që u ka besuar regjisori, në të ka pamje nga jeta baritore, por edhe një varg kostumesh shumëngjyrëshe që janë pjesë e trashigimisë kulturore shqiptare e nuk kanë munguar as këngë, valle e rite nga kultura e pasur shqiptare.

Në rolin e Hasan Agës është paraqitur aktori preshevar Artan Ibishi, kurse rolin e vajzës potureshë e ka luajtur aktorja e re Blerina Veseli. Luajtën edhe aktorët të njohur e të rinj Gani Veseli, Valon Nuhiu, Safete Mustafa Baftiu, Emine Toska, Bleron Kryeziu, Vlora Rrustemi, Arlind Fejzullahu, Lendi Aliu, Erza Selimi, Fetije Jashari, Maida Avdiu, Elda Qerimi. Koordinator i shfaqjes ishte Burim Emini, ndriçimi i Xhemal Hasanit, skenografinë e ka përgatitur Petrit Bakalli e Elda Qerimi, kostumet Adelinë Mziu, mjeshtër i tonit dhe muzikës Skender Halimi, punëtor skene Ibrahim Nuredini e Goran Gjorgjeviq, kurse drejtor Kujtim Sadriu.

Shfaqja është mirëpritur nga publiku dhe publiku në fund i ka duartrokitur gjatë e në fund të shfaqjes, drejtori Kujtim Sadriu ka nderuar me mirënjohje Mexhid Mehmetin me titullin mjeshtër i penës.

Ndryshe, Kujtim Sadriu, drejtor, ka thënë se kyu projekt do të reprizohet përgjatë vitit 2023 dhe se kjo shfaqje është shfaqja me trupë më të madhe, e bërë në Shtëpinë e Kulturës dhe Teatrin e Qytetit në Preshevë. Ai ka ka falënderuar kryetarin e Komunës Shqiprim Arifi , i cili dha mbështetje të pa rezervë. /kryelajmi.com/.

 

 

 

 

You Might Also Like