Gjilan

Një ekip i Gjilanit po i bënë vlerësimet për dëmet e pandemisë në ekonomi

Gjilan, 12 maj 2020 – Një ekip i Gjilanit që përfshinë edhe institucionet regjionale është duke i bërë vlerësimet për dëmet që ka shkaktuar pandemia Covid-19.

Ekipi i prinë Valbona Tahiri, drejtoreshë e DZHE, derisa pjesë e tij janë edhe Ibrahim Tahiri, drejtor regjional i Odës Ekonomike, drejtori i Qendrës për Punësim, Xhevat Aliu, drejtori ekzekutiv i AZHR-lindje, Agim Zeka dhe ai i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani.

“Përpos parandalimit të përhapjes së virusit, jemi angazhuar edhe në parandalimin e dëmeve në ekonomi. Përkundër efekteve që i ka lënë pandemia, bashkarisht do të koordinohemi për mënyrën se si t’i rikthejmë kapacitetet e plota, duke përfshirë shërbimet dhe sektorët tjerë që janë prekur”, ka thënë kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë konferencës për media, të martën.

Valbona Tahiri, drejtoreshë për Zhvillim  Ekonomik në Gjilan, ka thënë se pandemia, përpos krizës shëndetësore, ka shkaktuar edhe krizë ekonomike.

“Janë goditur sektorët kyq të ekonomisë duke filluar nga transporti, shërbimet, prodhimi, hoteleria e gastronomia”, ka thënë ajo, duke shtuar se ekipi komunal ka përgatitur një pyetësor, përmes të cilit synojnë ta bëjnë vlerësimin e dëmeve.

Drejtori ekzekutiv i AZHR-lindje, Agim Zeka, ka inkurajuar bizneset që të ndajnë pak kohë për ta plotësuar këtë pyetësor pasi afati i fundit është deri më 20 maj, për të marrë sa më shumë të dhëna, për ta pasur një raport për rimëkëmbjen e ekonomisë.

Ibrahim Tahiri, drejtor regjional i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin e bizneset, duke shtuar se të dhënat që i marrin nga ta, janë shqetësuese për afarizmin e komunitetit të biznesit.

Drejtori i Qendrës për Punësim, Xhevat Aliu, pohoi se dëmet që i janë shkaktuar ekonomisë kanë pasur efekt edhe tek fuqia punëtore.

“Prej fillimit të prillit, është rritur numri i të papunëve në zyrën e punësimit. Rreth 3400 aplikacione janë shqyrtuar dhe vënë në sistem, të cilat aplikacione janë bërë për pakon 15 të ndihmave në formën e asistencës sociale për familjet”, ka thënë Aliu.

Në fund, drejtori për Bujqësi, Ramiz Ramadani, ka bërë të ditur se dëmet në këtë sektor kryesisht janë në perimkulturë, përkatësisht në prodhimtarinë e ambienteve të mbrojtura.

Ndryshe, pas pyetësorit i cili do të publikohet sot në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit dhe që përfundon më 20 maj, do të dilet me pakon e masave mbështetëse ndaj sektorit të ekonomisë.

You Might Also Like