Nxënës të Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” bashkë me drejtorin e shkollës Bekim Mustafa dhe disa nga mësimdhënësit e tyre, për tri ditë me radhë kanë qëndruar në Shqipëri edhe atë në shenjë mirënjohje për sukseset e treguara në garat e diturisë dhe në ato sportive.
Kjo shkollë, që është ndër më të njohurat jo vetëm në Gjilan, Anamoravë e Kosovë, ka mbushur vitrinat e saj me kupa, medalje, mirënjohje e lëvdata nga garat kombëtare dhe ndërkombëtare. Kësaj radhe, 25 nxënës ndër më të mirët janë shpërblyer me një ekskursion treditor në Shqipëri, më saktësisht në Ksamil, në Kompleksin “Gjilani” që drejtohet Selver Xhelili, i cili duke iu gëzuar këtyre sukseseve, ka shprehur vullnetin që falas t’i pranojë dhe akomodoj këta nxënës, të cilët për këtë udhëtim kanë marrë pëlqimin e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan.
Fillimisht pas rrugëtimit të tyre për në Shqipëri, ata kanë vizituar vende e lokalitete turistike dhe historike, kanë qëndruar në Plazhin e Ksamilit, kanë vizituar Sarandën, Syrin e Kaltër, Gjirokastrën e vende të tjera.
Nxënësit janë ndarë tejet të kënaqur me këtë ekskursion, me mënyrën e organizimit, mikëpritjen që i është bërë në Kompleksin “Gjilani” dhe nismën që nxënësit e mirë të shpërblehen, ngase siç kanë vlerësuar ata kjo u shërben si shpërblim për sukseset e arritura, por edhe motiv shtesë për suksese e arritje të reja.
Vebi Syla, nxënës maturantë, ka theksuar se janë ndarë shumë të kënaqur me këtë ekskursion. “Shijuam plazhin e mrekullueshëm të Ksamilit, vizituam vende tejet të pëlqyeshme, u shoqëruam edhe më tepër dhe kujtuam tërë këto vite që kaluam në gjimnaz, duke përfituar njohuri të reja”, ka thënë Vebi Syla.
Derisa po udhëtonin bashkërisht për te Syri i kaltër, Altini, Altina, Besniku e Viola, të gjithë nxënës të shkëlqyeshëm të klasës së njmëbëdhjetë, po bisedonin rreth garave të ardhshme, duke theksuar se ky ekskursion i organizuar për ta u ka shërbyer si motiv shtesë që të mësojnë e të përgatiten edhe më shumë, ngase mundi i tyre në një formë u është shpërblyer.
Bradhyl Ibrahimi, nga këshilli i prindërvre, ka thënë fjalë miradije për sjelljen e nxënësve, që ishte për lakmi. Ai tha se nxënësit kanë dëshmuar diciplinë e kulturë të lartë, janë shoqëruar dhe kanë pasur përkujdesjen e duhur nga mësimdhënësit dhe se ky ishte një ekskursion i organizuar për lakmi, andaj siç ka thënë ai duhet mirëpritur nismat e tilla edhe në të ardhmen, ngase me sukseset dhe punën e tyre këta nxënës e kanë merituar.
Drejtori Bekim Mustafa, ka përgëzuar nxënësit për kulturën e treguar, duke shtuar se ata kanë merituar edhe më shumë për sukseset e arritura, kurse shkolla kësaj radhe ka dashur që t’I shpërblejë me një ekskursion e për këtë ai ka falënderuar pronarin e Kompleksit “Gjilani” dhe ish-nxënësin e shkollës sonë, Selver Xhelili, i cili ndër të tjera ka rrëfyer se si edhe vet kur ishte nxënës ishte shppërblyer në një garë të matematikës dhe edhe atëherë ishte organizuar një ekskursion për ata nxënës dhe sot e asaj dite e kujtojnë atë ngjarje. Sipas tij, vetëm në këtë fillimsezonë, në Kompleksin “Gjilani” kanë qëndruar mbi 1000 mysafirë, që janë kryesisht nga Gjilani e ndër më të veçantit ishin nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, të cilët kanë lënë përshtypje të mrekullueshme në Ksamil, te stafi i Kompleksit “Gjilani” dhe kudo tjetër, andaj ata gjithmonë do të jenë të mirëpritur për të vizituar Ksamilin.