Nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” janë shpallur kampion të Kosovës në Volejboll, ngase në një konkurrencë të fortë me bashkëmoshatarët e tyre nga mbarë Kosova, ata kanë dalë më të mirët dhe me plot meritë janë shpallë kampion për edicionin e vitit 2023.
Të udhëhequr nga trajneri e pedagogu, Blerim Shala, nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” kanë mundur të gjithë kundërshtarët me radhë, në ndeshjet që janë zhvilluar në qytetin e Malishevës.
Fillimisht at mundën ekipin që vinte nga Rajoni i Gjakovës, ekipin e Rugovës që e mundën me rezultat 2:0 në sete. Ndeshje më të vështirë patën me Drenasin, të cilin e mundën me rezultat 2:1 në sete, për të shkëlqyer ndaj Vushtrrisë në finale, të cilën e mundën me rezultat 2:0 në sete dhe për të ngadhënjyer në edicionin e sivjetmë.
Ky titull është më se i merituar, ngase profesori Blerim Shala ka bërë një punë të mrekullueshme me këta nxënës, nuk ka kursyer mundin, djersën e ka sakrifikuar shumë, vetëm e vetëm që të arrijë qëllimin që vetit i ka vënë para. Ai ka ndërtuar një lojë të shkëlqyeshme, me shërbime të forta e të sakta, lojë të mirë në mbulimin e fushës, pranim të përkryer e sulme të rrufeshme, për të cilat kundërshtarët nuk patën zgjidhje. Krejt këto ishin variante të ushtruara dhe krejt mundi i muajve të tërë në fund është shpërblyer.
Ky titull është shpërblim edhe për të gjithë nxënësit e tjerë, kolegët në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, për aktivin e Kulturë Fizike dhe Sportit, për drejtorinë e shkollës, por edhe për Drejtorinë e Arsimit në Gjilan, Sportin Shkollor dhe tërë komunën e Gjilanit e rajonin.
Pa dyshim se lëvdatat shkojnë edhe për nxënësit: Dilon Latifaj, Vebi Syla, Erblin Idrizi, Ledion Pajaziti, Ehad Maliqi, Engjull Surdulli, Jon Maliqi, Olt Bajrami, Blin Jakupi, Maliq Arifi, Drilon Ibrahimi e Drit Sadiku.